Tensionet mes Izraelit dhe aleates së tij të madhe SHBA-së, u shpërfaqën edhe një herë me deklaratat e zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, i cili hodhi poshtë pretendimet e shtetit hebre se rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila kërkoi armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës, i ka penguar bisedimet për lirimin e pengjeve
“Pohimet e zyrtarëve izraelitë se Hamasi e hodhi poshtë propozimin e fundit të Izraelit në bisedimet për lirimin e pengjeve për shkak të rezolutës së OKB-së janë të pasakta në pothuajse çdo aspekt dhe të padrejta ndaj pengjeve dhe familjarëve të tyre. Grupi radikal palestinez e kishte përgatitur përgjigjen ndaj propozimit të Izraelit për lirimin e pengjeve para se të votohej rezoluta e Këshillit të Sigurimit dhe jo pas saj. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë përpjekjet për të mundësuar lirimin e pengjeve”, u shpreh Miller.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi të hënën një rezolutë që kërkon armëpushim të menjëhershëm mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu menjëherë e akuzoi SHBA-në se u tërhoq nga qëndrimi i saj parimor duke lejuar miratimin e rezolutës pa kërkuar që armëpushimi të jetë i lidhur me lirimin e pengjeve që mbahen nga Hamasi në Gazë.
Në shenjë proteste ndaj rezolutës, Netanyahu e anuloi vizitën e planifikuar në Uashington të një delegacioni izraelit të nivelit të lartë. Një ditë më vonë, ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, deklaroi se rezoluta e Këshillit të Sigurimit për armëpushim në Gazë, ishte ajo që e nxiti Hamasin të refuzonte propozimin e Izraelit. Besohet se në duart e grupit ndodhen ende rreth 100 pengje izraelite.
Top Channel