Si sot një vit më parë media dhe fjala e lirë u cenua rëndë nga një akt terrorist që goditi televizionin Top Channel në orët e para të mëngjesit.
Breshëritë e plumbave të kallashnikovit që u zbrazën mbi godinën e medias më të madhe në vend dhe i morën jetën një punonjësi të sigurisë, 60-vjeçarit Pal Kola shënuan dhe sulmin më të rëndë në historinë meditike në Shqipëri. Një vit pas sulmit, ngjarja e rëndë është ende e pazbardhur.
Drejtori i Policisë Tiranë, Tonin Vocaj tha se po kryhen hetime me një grup të posaçëm në lidhje me ngjarjen e rëndë dhe se kanë informacione për persona konkretë të përfshirë.
Ndërkohë, sipas Vocajt, një provë e rëndësishme nga ngjarja është ADN-ja në një gëzhojë, por që nuk është identifikuar ende se kujt i përket.
Ai theksoi se i janë drejtuar databazave të Interpol dhe policive fqinje por ende nuk është gjendur se kujt i përket.
“Policia ka një vlerësim të posaçëm për këtë ngjarje dhe ka një grup të posaçëm hetimor me oficer të dedikuar dhe kryesuesi i prokurorisë Tiranë. Policia disponon informacione për persona konkret të përfshirë. Po vijon puna me metoda speciale hetimi. Kjo ngjarje po hetohet edhe në raport me ngjarje të tjera kriminale të ndodhura jo vetëm në Tiranë. Po hetohen tabulate telefonike që i kanë hapur një prespektivë të re hetimit. Është analizuar makina me të gjitha elementet dhe parametrat teknikë. Kjo analizë i ka shërbyer hetimit. Ndërkohë një provë e rëndësishme është një mbetje biologjike në një gëzhojë ku është përftuar një ADN por që nuk është identifikuar ende se kujt i përket. I jemi drejtuar databazave të Interpol dhe policive fqinje por ende nuk është gjendur”, tha për gazetaren e Top Channel, Dorjana Bezat drejtori i Policisë Tiranë, Tonin Vocaj.
Top Channel