Në prag të zgjedhjeve europiane të qershorit, Komisioni Europian i kërkoi platformave të mëdha sociale si TikTok e Facebook të etiketojnë qartë reklamat politike dhe të bllokojnë përmbajtjet që kërcënojnë integritetin e këtyre zgjedhjeve.
Në fillim të marsit, Parlamenti Europian id ha dritën jeshile Ligjit për Tregjet Dixhitale, që prek ndër të tjera edhe çështjen e përmbajtjeve të gjeneruara përmes inteligjencës artificiale në mediat sociale. Në ligj identifikohen 22 platforma mediash sociale, ndër to Snapchat, Instagram, YouTube dhe platforma X, dikur Twitter, të cilat konsiderohen si platforma “shumë të mëdha”. Dispozitat e ligjit do të hyjnë në fuqi me disa faza, thotë DW. Shkelësit e ligjit mund të gjobiten që këtë vit. Komisioni Europian publikoi edhe udhëzime për platformat e mëdha të mediave sociale, sepse Brukseli është mjaft i shqetësuar për ndikimin e “manipulimeve” dhe “dezinformacioneve” ruse ndaj zgjedhjeve europiane.
“Me këto udhëzime, ne po përdorim plotësisht të gjitha mjetet që ofron Ligji për Shërbimet Dixhitale për të garantuar që platformat të përmbushin detyrimet e tyre dhe të mos keqpërdoren për të manipuluar zgjedhjet tona, duke ruajtur njëkohësisht edhe lirinë e shprehjes”, u shpreh komisioneri Thierry Breton.
Komisioni kërkon që platformat më të mëdha të mediave sociale “të zbusin rreziqet specifike që lidhen me inteligjencën artificiale, për shembull duke etiketuar qartë përmbajtjen e krijuar nga AI (siç janë “deepfakes”). Për këtë, ekzekutivi i bllokut europian rekomandoi që platformat e mëdha të mediave sociale të promovojnë informacionet zyrtare për zgjedhjet dhe “të reduktojnë monetizimin dhe mundësinë për t’u bërë virale të përmbajtjeve që kërcënojnë integritetin e proceseve zgjedhore” për të zvogëluar çdo rrezik. Po kështu, edhe reklamat politike “duhet të etiketohen qartë si të tilla”.
Top Channel