Veliaj inspekton punimet në rrugën e re që lidh Lundrën me autostradën Tiranë-Elbasan dhe Unazën e Madhe: Lundra e Mulleti do bëhen lagje të kryeqytetit

25/03/2024 15:08

Banorët e Lundrës, por edhe të gjithë nxënësit që shkojnë në një nga 4 shkollat e zonës, shumë shpejt do të kenë akses të drejtpërdrejtë në autostradën Tiranë-Elbasan.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi sot punimet në rrugën që lidh zonën e Lundrës me autostradën Tiranë-Elbasan dhe Unazën e Madhe, e cila lehtëson së tepërmi qarkullimin e automjeteve.

Ai u shpreh se falë këtij by-pass, i jepet zgjidhje banorëve dhe bizneseve të kësaj zone. “Bëhet fjalë për të lidhur gjithë zonën e Lundrës, për të mos kaluar nga Rezervat e Shtetit, por e gjithë zona rezidenciale dhe 4 shkollat, plus edhe dy qendrat tregtare, si private, si publike, të kenë akses direkt në autostradën Tiranë-Elbasan. Për të gjithë ata që kanë punë në Tiranë apo në Elbasan, por jetojnë në këtë zonë të ndërmjetme, ky është një by-pass që e zgjidh jashtëzakonisht mirë këtë problematikë. Ftesa për të gjithë ata që janë duke punuar në zonë është që të sigurohemi që – teksa po punohet te rruga e Agallarëve, te ky by-pass mes Lundrës e Autostradës, te Liqeni i Farkës – të mos ndërpritet jeta dhe normaliteti në zonë”, deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se falë investimeve dhe përmirësimit të infrastrukturës, tashmë kjo zonë është kthyer në një nga zonat më të lakmuara në kryeqytet. “Shpeshherë, kur gjërat bëhen mirë, ndonjëherë bëhemi edhe ‘viktima’ të suksesit tonë. Ndodhin aq shumë punë, saqë gjithmonë ka nevojë për më shumë infrastrukturë, për më shumë ndërhyrje. Zona e Lundrës është një zonë që nisi kryesisht si zonë rurale, pastaj filloi me rezidencat, sot jo vetëm ka qendra tregtare private, por qendra tregtare publike, siç është “AgroTirana”, qendra jonë e shitjes me shumicë, apo edhe 4 shkolla private, që kanë ardhur ndër vite, apo edhe një ekspansion i jashtëzakonshëm që ka ndjekur autostradën dhe Unazën e Madhe, dhe që e ka bërë këtë një ndër zonat më të lakmuara të Tiranës. Sigurisht, ne patjetër marrim taksa dhe mbledhim fonde e kontribute nga ata që fitojnë më shumë, për t’u siguruar që në çdo lagje periferike, nevojës ne i përgjigjemi me investim shumë cilësor dhe shumë dinjitoz”, u shpreh Veliaj.

Ai kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të mos u bërë pengesë e projekteve zhvilluese. Veliaj deklaroi se secili prej banorëve të vjetër tashmë e kupton që jetojmë në një zonjë ku vlera e pronës është 3-4 fishuar. “Është mëkat ndonjëherë, që projekte të tëra ngelen për dy metra shpronësim dhe për një mosdakordësi në komunitet, ku fare mirë një ndërmjetësim i administratës apo i kryeplakut mund të na zgjidhë problematika që zhbllokojnë investime, zhbllokojnë një energji të jashtëzakonshme. Secili prej banorëve të vjetër duhet të kuptojë që sot jetojmë në një Lundër ku është 3-4 fishuar vlera e pronës. Kjo do të thotë se ndonjëherë ajo sakrifica për 2-3 metra, në fakt përkthehet në 2-3 fish rritje të vlerës së pronës. Secili që di të bëjë llogari, kupton se ka një vlerë jashtëzakonisht të madhe. Sot, e thënë troç, prej këtyre investimeve të Bashkisë dhe këtij transformimi të Tiranës, të gjithë janë pasuruar”, u shpreh Veliaj.

Ai siguroi se pas pushimeve të verës, qytetarët do të shohin një transformim total dhe një lehtësi shumë të madhe në komunikim. Veliaj nënvizoi se urbanizimi i këtyre zonave e kanë kthyer edhe Lundrën dhe Mulletin në një lagje urbane të Tiranës. “Ftesa për të gjithë është bashkëpunim, bashkëpunim, bashkëpunim! Ku kemi bashkëpunim çlirohet energji dhe ecet përpara. Ku kemi pastaj ngecje e cic-mice të vogla, humbasim kohë shumë të çmuar, që s’e kthejmë dot pas. Do mundohemi të zgjidhim dy problematikat e fundit dhe shpresa ime e madhe është që, në fillim të verës, sidomos kur një pjesë e madhe e qytetarëve largohet për pushime, ne të kemi mbyllur gjithë këto kantiere në Farkë, që pastaj kur njerëzit të kthehen nga pushimet, të shohin një transformim total dhe një lehtësi shumë të madhe në komunikim. Gjasat janë që me këto ritme zhvillimi, gjithmonë e më shumë ashtu si Liqeni i Thatë është bërë tashmë një lagje e Tiranës, gjasat janë që me këtë zhvillim me këtë zgjerim, Lundra, Mulleti do bëhen gjithashtu lagje të Tiranës, tashmë urbane”, deklaroi Veliaj.

Kjo rrugë do të shërbejë edhe si rrugë lidhëse midis zonës së Terminalit Juglindor dhe rrugës së Elbasanit nga njëra anë me një sërë rrugësh tretësore të tjera, komplekse banimi, shkolla dhe biznese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA