Shpejtësi tej normave, parakalime të gabuara apo përdorim të telefonit/ Mbi 9 mijë gjoba në një javë në Tiranë, 11 shoferë të arrestuar dhe në hetim

24/03/2024 09:37

Pamjet ku qytetarë dhe makina vijojnë lëvizjet në vija të bardha duke shpresuar te toleranca e njëri tjetrit për të shmangur një aksident, janë të shpeshta në kryeqytet.

Edhe kur vendkalimet e këmbësorëve nuk rregullohen me semafor, kodi rrugor e shpreh qartë se makinat duhet të ndalojnë pranë vijave të bardha deri sa këmbësori të kalojë në trotuarin tjetër, në të kundërt janë në shkelje të kodit rrugor dhe ndëshkohen me gjobë deri në 2 mijë lekë.

“Ndër shkeljet më të shpeshta të kodit rrugor është mosrespektimi i këmbësorëve. Vetëm gjatë kësaj jave janë vendosur 570 gjoba për këta drejtues mjetesh. Policia e Tiranës nuk ka për qëllim të ndëshkojë qytetarët por ti ndërgjegjësojë se kjo shkelje sjell aksidente me pasoja të rënda.  Nga vëzhgimet në terren ne kemi konstatuar se drejtuesit e mjeteve ende nuk e njohin mirë sinjalistikën. Në vijat e bardha makinat duhet të qëndrojnë derisa kalimtari të ketë përfunduar lëvizjen”, shpjegon inspektorja Sara Progni.

Por jo rrallë herë edhe vetë kalimtarët janë burim aksidenti duke mos ecur në vendet e përcaktuara që ka detyruar policinë të aplikojë gjoba edhe për këmbësorët. Një efekt negativ  japin edhe në trafik pasi ndërprerë shpesh lëvizjen e mjeteve gjatë kohës që janë te vijat e bardha.

“Një apel kam edhe për qytetarët që të respektojnë semaforin dhe në rastet kur vendkalimet e tyre janë të pa rregulluara me semafor të bëhen grumbuj dhe të kalojnë rrugën që të mos bëhen pengesë e lëvizjes së automjeteve”, thotë Progni.

Gjatë javës së fundit, Policia Rrugore e Tiranës aplikoi 9.300 gjoba, ku pas mosrespektimit të këmbësorëve dhe vendparkimeve të gabuara, renditej shpejtësia tej normave të lejuara me 510 raste të evidentuara.  Ndërkohë 11 persona ranë në pranga, pasi drejtorin mjetin pa patentë ose nën efektin e alkoolit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA