Noka, Gjekmarkaj dhe Bardhi në Dibër, nënkryetari: Prej 12 vitesh Shqipëria po humbet institucionet

24/03/2024 12:17

Deputetët demokratë, Agron Gjekmarkaj, Gazment Bardhi dhe Flamur Noka po zhvillojnë një takim me qytetarët në Dibër këtë të diel.

Nënkryetari i PD së Rithemelimit, Agron Gjekmarkaj tha se opozita ka qenë më e rrezikuar se kurrë në vitet e demokracisë, por ia doli të bashkohet.

Sipas tij do të jenë shqiptarët që do ta dëbojnë qeverinë aktuale.

Opozita ka qenë me e rrezikuar se kurrë. Asnjëherë asnjë opozitë nuk ka pasur kaq shumë armiq, por asnjëherë si kësaj herë PD ia ka dalë të emancipojë veten duke u bashkuar. Ne jemi partia e pluralizimit, por lideri i saj është burgosur, ne jemi partia e lirisë, por liria është cënuar sepse kushtetuta është përpunuar për të burgosur Berishën, ne jemi partia e ekonomisë së tregut, por tregu është zaptuar nga 4-5 oligarkë. Ne jemi partia e NATO dhe partia e lëvizjes së lirë, por sot Shqipëria nxjerr vetëm djemtë dhe vajzat. Prej 12 vitesh Shqipëria po humbet institucionet, po ndryshon nga një shtet demokratik në një vilajet. Nuk ka institucione që të thotë ndal. Thuhet që në Shqipëri po vijnë turistë, e vërtetë por vijnë të shohin si një qeveri dëbon një popull. Unë jam i sigurt që do ketë më shumë turistë për të parë si një popull do të dëbojë një qeveri. Kjo do të ndodhë shumë shpejt. Ne betejat që po afrojnë, do të fitojmë dhe do marrim lajmin e fitores nga Dibra në gjithë Shqipërinë. Duhet të ikë Rama dhe të rrinë shqiptarët”, tha Gjekmarkaj.

Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka tha se PS ka blerë votat e dibranëve.

“Jemi këtu sot sepse mund të ju themi nga Dibra, se Edi Rama dhe banda e tij që quhet qeveri, jetojnë në një realitet krejt tjetër nga ai që jetojnë dibranët dhe shqiptarët e thjeshtë të këtij vendi. Ata propagandojnë, luks, mirëqënie, ekonomi, përparim, sepse ata në familjet e tyre, me taksat dhe paratë që kanë vjedhur Dibrës dhe dibranëve, ata janë shndërruar në derra të dhjamosur dhe as nuk duan të ja dinë fare që shqiptarët janë duke vuajtur dhe janë në kushte të mjerueshme, sa dhe Migjeni po të ishte gjallë do të bënte një epope më të madhe se e asaj kohe për varfërinë. Kjo është situata reale ku dibranët jetojnë. Kur po vinim, në Melan takuam një pensionist që po shiste mollë.  Më tha: Flamur, a e di se kam tentuar gjatë periudhës së vjeshtës kur vilnim mollët, kam tentuar të gjejë punëtor të rinj për mollët. Thashë 30, 40 mijë lekë të vjetra dhe nuk erdhi asnjë njeri. Asnjë i ri nuk është në Melan. U detyruam të vjelim mollët pensionistët e fshatit, të hynim në pemë dhe të bëjmë çdo shërbim. Është braktisur dhe shpopulluar nga rinia ky vend. Ky është realiteti që Edi Rama dhe organizata kriminale që ai drejton ja fsheh Dibrës dhe shqiptarëve. Kjo është dhurata që i ka bërë Dibrës dhe shqiptarëve Edi Rama në 10 vite te qeverisjes së tij. Ne shohim që në mënyrë të frikshme që Edi Rama asnjëherë nuk ka punuar në këto 11 vite dhe nuk punon për të zhvilluar Dibrën dhe as për të rritur familjet e dibranëve. Ai ka punuar dhe punon së bashku me bandën e tij që vetëm të vjedhë, që pasi të ua ketë shtrënguar lakun të fyt të ju blejë votën. Ky është realiteti’, tha Noka.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA