“Bilbilfryrësit mendonin një marrëveshje për veten”, Basha kritikon kolegët opozitarë: Pseudorevolucion për të mbajtur listat e mbyllura

24/03/2024 17:11

Pas marrëveshjes PS-Rithemelimi, qëndron synimi për të mbajtur listat e mbyllura në zgjedhje, sipas kryedemokratit Lulzim Basha.

Nga Lushnja, ku zhvilloi takimin e radhës me demokratët, Basha u shpreh se rezultat i marrëveshjes së arritur është “zhdukja e transparencës”.

“U arrit një ligj i ri për komisionet hetimore që është 10 herë më i keq se ligji i mëparshëm dhe që zhduk transparencën, zhduk aftësinë e opozitës për të mbledhur fakte e dokumente, për të detyruar dëshmitarët e për ta bërë këtë në mënyrë transparente. Pra, jo vetëm që nuk u arrit diçka pozitive, por u humbën të drejta parlamentare,  të drejta opozitare, të drejta publike që opozita i kishte. U kërkuan 8 komisione, u morën dy dhe populli me të drejtë thotë: ua bëri 8 me 2. Një prej atyre komisioneve është sa për sy e faqe, sepse siç e dini fare mirë, si mund të kërkohet një hetim parlamentar për sterilizimin, ndërkohë ministri i shëndetësisë së kohës së sterilizimit u mor i pandehur në fillim të javës nga SPAK, me një akuzë e cila rrezikon të shkojë deri në 4 vite burg. Atëherë për çfarë e kërkon komisionin hetimor kur prokuroria i mbaroi hetimet? Sigurisht nuk ka transparencë, ka një lojë, ka një balet të palëve për të fshehur të vërtetën. Po të lexosh dokumentet është e qartë se ia ashtu quajturi komision I transparencës për sterilizimin, do merret me masa administrative dhe ndryshime ligjore. Pra ndërkohë që SPAK do ta fusë në burg Ilir Beqën për vjedhjen e sterilizimit, këta do të merren me masa administrative,  që do të thotë se maksimumi do të propozojnë gjoba”.

Kryedemokrati hodhi akuza ndaj kolegëve demokratë, se po  hoqën hapësirën dhe zërin opozitës për gjashtë muaj.

“I binin bilbilave për të penguar zërin e opozitës sepse qeverinë nuk e pengonin dot. Qeveria kalonte ligjet për 3, 4 apo 5, maksimumi 7 minuta. Për 4 minuta e 50 sekonda miratuan buxhetin 7 miliardë euro taksa që po i merren dhe do ti merren shqiptarëve për tu shpenzuar siç do Edi Rama dhe qeveria e tij e korruptuar.

Po a pati mundësi PD ta ngrinte këtë çështje në Parlament?! Sigurisht që jo sepse bilbilfryrësit nuk e kishin mendjen këtu. Ata e kishin mendjen si e si të arrinin një marrëveshje për veten e tyre, për karriget e tyre dhe kjo është një akuzë që nuk e bëj lehtësisht, por që ju vetë e keni parë se cili është motivi i vërtetë. Motivi i vërtetë është mbajta në fuqi të Kodit zgjedhor siç është me lista të mbyllura”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA