Armë zjarri dhe municion luftarak në banesë/ Bien në pranga babë e bir, 21-vjeçarit iu gjet thikë gjatë kontrollit

24/03/2024 13:29

Babë e bir kanë rënë në prangat e policisë në Vaqarr të Tiranës pasi policia gjeti në banesë municion luftarak dhe armë zjarri.

Gjatë operacionit policor të koduar “Home” ranë në pranga Klaos Haldeda 21 vjeç, dhe Ismet Haldeda, 42 vjeç.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në vijim të zbatimit të masave të caktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara për një rast armëmbajtjeje pa leje, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Home”. Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve K. H., 21 vjeç, dhe I. H., 42 vjeç, (babë e bir), të dy banues në Vaqarr”, sipas njoftimit të policisë.

Fillimisht policia i gjeti 21-vjeçarit një thikë gjatë kontrollit fizik dhe më pas gjatë kontrollit të banesës së babait të tij, “blutë” gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri dhe sasi municioni luftarak.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA