Nga atentatet e viteve 99` në Rusi, tek viktimat e Teatrit Dubrovka, Vladimir Putin e farkëtoi ngjitjen e tij në pushtet me fasadën e garantuesit të sigurisë.
E në këtë prizëm, sipas mediave të huaja, sulmi i së premtes në një sallë koncertesh në Moskës, përbën një grusht të fortë për shefin e Kremlinit. Në 7 mars, ambasada amerikane në Moskë i këshilloi bashkëqytetarët e saj të largoheshin nga vendi dhe nëse nuk ishin në gjendje ta bënin këtë, t`i qëndronin larg grumbullimeve të mëdha siç ndodh me turmat nëpër koncerte.
Inteligjenca e huaj, shkruan Corriere della Sera, e kishte kuptuar se diçka e keqe mund të ndodhte. Por distanca që ndan Rusinë nga bota perëndimore matet edhe me një ngjarje të tmerrshme si kjo. Menjëherë pas rizgjedhjes së tij, Vladimir Putin u tall me alarmin e ngritur nga SHBA, duke e cilësuar atë një “shantazh” dhe një përpjekje të Perëndimit për të “frikësuar dhe destabilizuar shoqërinë tonë”.
Muri i mosbesimit dhe dyshimit të ndërsjellë nuk ka qenë kurrë më i lartë, por edhe pasojat e tij ndërkohë janë të mëdha. Për imazhin e Putinit si një “lideri i fortë”, kjo është një goditje e rëndë, vazhdon shkrimi. Fushata e tij e fundit elektorale bazohet pikërisht tek siguria:
Unë jam njeriu i vetëm që mund t`ju mbrojë, ky ka qenë përherë mesazhi i tij kryesor për popullin e vet. Megjithatë, ai nw mënyrë tw përsëritur thotë media e njohur italiane, ka zgjedhur t`i injorojë paralajmërimet pavarësisht traditës së gjate te atentateve ne Rusi. Tani frika kryesore, sipas Corriere della Serës, është reagimi i Kremlinit i cili me moton gjaku lahet me gjak, i është përgjigjur me hakmarrje çdo sulmi terrorist në tokën ruse.
Top Channel