Sot presidencialët në Sllovaki, vendi “zgjedh” mes Kievit e Moskës!

23/03/2024 14:14

Sllovakët i janë drejtuar sot qendrave të votimit për zgjedhjet kyçe presidenciale në të cilat vënë përballë njëri-tjetrit kampin pro Moskës dhe atë pro Kievit, në vendin e pllakosur nga pozicionime të ndryshme mbi luftën në Ukrainën fqinje.

Kryetari i Parlamentit Peter Pellegrini, dhe ish-ministri i Jashtëm liberal, Ivan Korcok, që përkrahet prej opozitës, janë kandidatët kryesorë në mesin e nëntë garuesve në total. Ndonëse pozita e presidentit në Sllovaki është përgjithësisht  ceremoniale, kreu i shtetit sllovak ka të drejtën e ratifikimit të traktateve ndërkombëtare, emëron gjyqtarët dhe është komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura. Presidenti po kështu mund të përdorë edhe veton për ligjet e miratuara prej parlamentit.

Pellegrini, i cili gëzon mbështetjen e kryeministrit Robert Fico që e ka vënë në pikëpyetje sovranitetin e Ukrainës, në kuadër të disa komenteve të tij për luftën e Rusisë, paraqitet si një kandidat pro-paqes e i ka bërë jehonë deklaratës polemizuese të Papës Francesk se “në këtë pikë, Kievi duhet të ketë kurajon të ngrejë flamurin e bardhë”.

Korcok sakaq është mbështetës i fuqishëm i Ukrainës, ashtu si edhe presidentja në largim Zuzana Caputova, një kritke e qeverisë që zgjodhi të mos garonte më për një mandat të dytë. Një sondazh i realizuar nëntorin e vitit që shkoi, tregoi se 60 përqind e sllovakëve mund të votojnë për Pellegrinin e 41 përqind për Korcok. Megjithatë, një anketim më i fundit në muajin janar e uli epërsinë e tij në 40 për qind kundrejt 38 për qind që do të preferonin kandidatin e kampit pro-Ukrainës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA