Nga 1999-ta e këtej, një sërë sulmesh terroriste, sidomos me prapavijë çeçene, kanë tronditur Federatën ruse. Mbrëmjen e 8 shtatorit të atij viti, një bombë shpërthen e shkatërron një godinë 9 katëshe në lagjen Piciatniki, në periferi të Moskës.
Vriten 92 vetë, plagosen 200. Më pak se një javë më vonë, një bombë rrëzon një godinë 7 katëshe po në kryeqytet, në rrugën Kashirskoe. Viktimat janë 118 persone, mes të cilëve 13 fëmijë. Edhe këtu faji mbetet jetim, por sulmi kthehet në njërën prej arsyeve për ndërhyrjen ruse në çeçenia. Autorët e të dy atentateve ishin stërvitur në kampet çeçenia. Kalojnë tre vjet dhe Moska përgjaket sërish: tetorin e 2002-shit, 41 militantë çeçenë mësyjnë teatrin Dubrovka me kërkesë tërheqjen e trupave të Moskës nga Çeçenia.
Merren peng 850 vetë: 130 prej tyre, së bashku me të gjithë terroristët, nuk dalin më gjallë prej andej, pothuajse të gjithë të helmuar nga gazi i përdorur në sallë prej forcave speciale ruse. 24 gushtin e vitit 2004, dy gra kamikaze hedhin vetën në erë në bordin e dy avionëve Tupolev të ngritur në ajër njëri pas tjetrit nga Moska: Njëri bie në rajonin e Tula duke shkaktuar 43 të vdekur; tjetri jo shumë larg Rostov mbi Donit me 46 viktima. Përgjegjësinë për të dyja e merr lideri i atëhershëm i forcave guerile çeçene Hamil Basaev.
Një muaj më vonë, në shtator vjen tragjedia që theu zemrat e të gjithë botës: një grup guerilasish ingusheto-çeçen marrin peng gati 1.500 personave mes të cilëve fëmijë, prindër e mësues në një shkollë të Besllanit, në Osetinë e Veriut, pikërisht në ditën e parë të mësimit. Mësymja e forcave ruse sjell lirimin e pengjeve, por me një cmim shumë të shtrenjtë: 335 të vdekur, ndër të cilët 186 fëmijë dhe 31 agresorë.
Pasojnë disa shpërthime, sulme kamikaze e atentate, të cilat stopojnë megjithatë 2 prillin e vitit 2017 me bombën në metronë e Shën Petërburgut që shkaktoi 14 të vdekur, për t`u rikthyer tani pas 7 vitesh, me masakrën në një sallë koncertesh në Moskë, që mori me dhjetëra jetë njerëzish.
Top Channel