Nën hetim nga SPAK, reagon kryebashkiaku i Rrogozhinës: Edhe familjarët e mi po baltosen me akuza të rënda, do përdor çdo armë ligjore për t’u mbrojtur

23/03/2024 17:08
Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla

Kryebashkiaku i Rrogozhinës Edison Memolla i cili është nën hetim nga SPAK për korrupsion zgjedhor dhe së fundmi për ‘pastrim parash’, ka reaguar nëpërmjet një shkrimi në facebook.

Memolla shkruan se akuza të tilla bëhen vetëm për të ulur imazhin e tij në publik, ndërsa shprehet se do të ndjekë rrugën ligjore për t’u përballur në gjykatë me ata të cilët kanë baltosur emrin e tij dhe të familjarëve të tij.

Reagimi i plotë i Memollës:

Deri më sot jam përballur me çdo akuzë, shpifje, të pavërtetë apo lajm të rremë që prej kohesh kanë dalë për të ulur në sytë e gjithkujt imazhin tim.
Të qenurit pjesë e politikës padyshim që të bën të jesh në shënjestër të shumë kazanëve mediatik vetëm për të përmbushur kërkesat e personave të etur për pushtet që fshihen pas siglave televizive.

Megjithatë kurrë nuk kam dalë kundër tyre hapur pasi jam individ që di ti përgjigjem drejtësisë për aq kohë sa punën dhe postin që ma kanë besuar qytetarët e mi e drejtoj me ndershmëri dhe pastërti. Por fakti që përveç meje po baltosni familjarë të mi me akuza tepër të rënda dhe të pafalshme, madje për të disatën herë, më bën të reagoj dhe të përdor çdo armë të mundshme ligjore për t’i mbrojtur ata.

Kushdo që na njeh e di mirë me sa mund dhe djersë ka arritur familja ime të jetë kjo që është tani dhe për të gjithë ata që nxjerrin fjalë të tjera përveçse kësaj të vërtete, tashmë do të shihemi qoftë edhe për shpifjen më të rëndomtë, në dyert e të gjitha institucioneve të drejtësisë. Me respekt, Edison Memolla

Kujtojmë se në tetor të vitit të kaluar, Memolla u mor i pandehur nga SPAk nën akuzën e korrupsionit zgjedhor pasi dyshohet se duke përdorur postin e kryebashkiakut, Memolla ka paguar faturën e dritave të një qytetareje në këmbim të votës.

Ndërsa së fundmi, raportohet se SPAK po hetohet nga SPAK edhe për pastrim parash. Autoritetet italiane në bashkëpunim me ato shqiptare, janë vënë në ndjekje të një transferte të dyshimtë prej 1 milion eurosh, që dyshohet se i përket pikërisht lidhjeve të afërta të kryebashkiakut Memolla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA