Efektivi i “Operacionales” Ervis Shkurta i cili u ndalua sot nga AMP, ka pasur dijeni për kokainën e kapur dy ditë më parë në mjetin e tre të rinjve në Tiranë, Enea Sulejmani, Igli Begaj dhe Shkëlqim Osteni.
Burime për Anila Hoxhën bëjnë me dije se ai është zbuluar nga policia, pas komunikimit që kishte pasur me njërin prej të arrestuar në WhatsApp, Shkëlqim Ostreni, ku e pyeste: Hë mbaruat?
Po atë ditë, janë gjetur dhe 7 thirrje të humbura nga Shkurta në telefonin e një prej të arrestuarve në aksionin e policisë në Tiranë.
Kujtojmë se tre personat dyshohet se ishin furnizues të shpërndarësve të drogës në zonën e Xhamllikut.
Ata prej dy muajsh, ishin nën vëzhgimin e policisë dhe u kapën në flagrancë, teksa shkëmbenin lëndën narkotike në një rrugë pa krye, ku kishin lënë vendtakimin.
Në momentin që u përballën me patrullën e policisë, ata lëvizën mbrapa, duke përplasur makinën e efektivëve dhe duke rrezikuar policët që ishin në këmbë.
Të ndodhur në këtë situatë, një prej efektivëve qëlloi me armë, duke plagosur në 30-vjeçarin Enea Sulejmani,. Ky i fundit u transportua në spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.
Në këtë aksion, policia ka sekuestruar 1 kg kokainë.
Top Channel