SPAK dorëzoi të pandehur në gjykatë një shtetas që akuzohet se financoi terrorizmin duke dërguar para tek i ati, i cili në 2013 ishte larguar drejt Sirisë për të luftuar përkrah ISIS.
Muhamet Manollari la gjurmë pesë vjet mbas largimit të të atit, përmes trukeve financiare kur ditën e 19 nëntorit 2018 , transferoi 864 euro drejt një shtetasi sirian. Ky i fundit konsiderohet nga SPAK si ndërmjetësi që do t’ja kalonte paratë Mehdi Manollarit i cili ju bashkua organizatës terroriste dhe besohet se është vrarë në Siri në vitin 2019 dhe paratë thotë SPAK nuk mund ti dërgoheshin direkt atij sa kohë gjendej në listën e personave me lidhje terroriste.
Për të realizuar transfertën i biri deklaron SPAK nuk ka përdorur të dhënat dhe emrin e tij, por përmes një karte identiteti të një shtetaseje. Kjo e fundit e kishte raportuar të humbur dokumentin në polici pak përpara se të dërgoheshin eurot. Dërgesa u transferua përmes një institucioni që kryen shërbime financiare.
Më herët për rekrutimin e gati 120 shtetasve shqiptarë në Siri në të ashtuquajturin gjyqi i xhihadistëve , gjykata dënoi nëntë persona me 109 vite burg në total. Mes tyre imamë të vetëshpallur dhe financues. Ndërkohë një tjetër dosje qëndron e hapur në gjykatë ndaj 9 grave të indoktrinuara, të cilat mbas largimit të burrave që ju bashkuan ISIS edhe ato shkuan në luftë
Top Channel