Disa sfida mbeten, e atyre u shtohen edhe rreziqe të reja: raporti i fundit i agjencisë së vlerësimit të kreditit “Standard & Poors” flet për një mjedis me ndryshime përherë e më të shpejta, duke nisur që me shpërthimin e pandemisë globale COVID-19, që krijoi dinamika të reja e i detyron pjesëmarrësit e tregut financiar t`i përshtatin strategjitë e tyre me situatat në zhvillim.
Kushtet që huamarrësit dhe investitorët mund t’i merrnin si të mirëqena për një dekadë ose më shumë, tani kanë ndryshuar, thekson Standard and Poor`s. Sipas agjencisë, më e rëndësishmja tani ndoshta, është se tregjet nuk mund të presin më politika monetare super komode, ndërsa inflacioni i ulët do të jetë normë.
“Teksa nivelet ende të forta të punësimit dhe kushtet fiskale mbështetëse duhet të vazhdojnë të përkrahin qëndrueshmërinë e kredive më të forta, ne presim që viti 2024 të vijë me një përkeqësim shtesë të kredisë dhe dështime për emetuesit më të cenueshëm të korporatave dhe qeverive”, thuhet në raport.
“Huamarrësit e të gjitha shtresave do të duhet të përshtaten me kushte më të shtrënguara financimi dhe rritje më të lehtë ekonomike. Ndërsa yield-et afatgjata ka të ngjarë të arrijnë kulmin rreth mesit të vitit, kushtet e financimit me gjasë do të qëndrojnë të shtrënguara në terma realë në vitin 2024.
Huamarrësit kanë reduktuar maturimet afatshkurta, por pjesa e borxhit të shkallës spekulative që pritet të rritet ndjeshëm në vitin 2025, duke e bërë 2024 një vit vendimtar, nënvizohet më tej. Raporti thekson se sektorët e ekspozuar ndaj rënies së shpenzimeve konsumatore janë më të cenuarit, ndërsa kreditë e nivelit të investimeve në përgjithësi duhet të vazhdojnë të tregojnë elasticitet.
Top Channel