BE “tërheq” të gjithë Ballkanin Perëndimor: Dritë jeshile negociatave me Bosnjën!

22/03/2024 07:43

Krerët e Bashkimit Europian i dhanë dritën jeshile çeljes së negociatave të anëtarësimit të Bosnjës e Hercegovinës në bllok.

Liderët e të 27-të vendeve anëtarë u pajtuan në samitin e Brukselit me një hap të tillë, hallka e parë e të cilit u kapërcye javën që shkoi me OK-in e Komisionit Europian, i cili erdhi pavarësisht ndarjeve të thella etnike në vendin me 3.2 milionë banorë. “Këshilli Europian sapo vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnjën dhe Hercegovinën. Urime!”, tha presidenti i Këshillit, Charles Michel.

“Vendi juaj është në familjen tonë evropiane”, theksohej më tej në mesazhin ku ai nënvizonte gjithashtu se  “tani duhet të vazhdojë punë e vështirë në mënyrë që Bosnja dhe Hercegovina të përparojë në mënyrë të qëndrueshme”. Në projekt deklaratën e përfundimeve të takimit të Këshillit Europian, i cili i vazhdon punimet edhe gjatë ditës së sotme, udhëheqësit e BE-së theksojnë nevojën që Bosnja të vazhdojë të ndërmarrë “të gjithë hapat përkatës të përcaktuar” nga Komisioni, që përfshijnë reforma ekonomike, gjyqësore dhe politike si dhe përpjekje më të mira për të trajtuar korrupsionin dhe pastrimin e parave.

Bosnja është e përçarë nga ndarjet etnike, edhe gati tri dekada pas luftës së viteve 1992-95 që copëtoi vendin, duke lënë më shumë se 100,000 njerëz të vrarë dhe miliona të zhvendosur, ndërsa lideri i entitetit serb, Milorad Dodik kërcënon vazhdimisht me shkëputjen e Republikës Srpska. Asnjë iu dha në 2022 statusi i kandidatit. Për t’u anëtarësuar në BE, vendet kandidate duhet të kalojnë një proces të gjatë për të përafruar ligjet dhe standardet e tyre me ato të bllokut dhe për të dëshmuar se institucionet dhe ekonomitë e tyre përmbushin normat demokratike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA