Gazetarja Anila Hoxha, zbulon lidhjen mes 2 të arrestuarve për vrasjen e Gentjan Bejtjas: Haxhiu, i punësuar si shofer! Largoi vrasësit me makinën e Beqarajt

22/03/2024 18:37
Edison Haxhiu, Ilir Beqaraj

Gazetarja Anila Hoxha e ftuar në “Top Talk” me gazetaren Juli Xhokaxhi në Top Channel zbuloi lidhjen mes të Ilir Beqarajt dhe Edison Haxhiut, 2 të arrestuarve për vrasjen e Gentjan Bejtjas në Fushë Krujë më 15 mars.

Hoxha tha se Ilir Beqaraj alias Brahimi, alias Mançellari, kishte punësuar Edison Haxhiun si shofer për t’i dërguar dhe marrë fëmijët nga shkolla. Të dy këta të fundit të cilët u lanë në burg, kanë mohuar të kenë qenë të përfshirë në ekzekutimin mafioz të 43 vjeçarit.

“Beqaraj rezulton se është një biznesmen që jeton në Tiranë në një zonë rezidenciale së bashku me familjen e tij. Ai ka insistuar se nuk ka pak kohë që është kthyer nga Italia. Ndërsa Edison Haxhiu është shoferi i punësuar nga familja Beqaraj për të dërguar në shkollë dhe në kopësht fëmijët e Ilir Beqarajt”– tha gazetarja.

Më tej, Hoxha shtoi se policia ka gjetur automjetin në momentin kur shoferi Edison Haxhiu e kishte çuar në një lavazh për ta larë. Dyshohet se ka qenë vetë Haxhiu që ka larguar nga vendngjarja vrasësit pasi kishin kryer ekzekutimin që tronditi fshatin Larushkë.

“Beqaraj është pronar i automjetit që dyshohet se është përdorur për të larguar nga vendngjarja autorët që ekzekutuan Gentjan Bejtjan. Policia e prokuroria thonë se një mjeti i gjetur në lavazho ku po pastrohej nga Haxhiu është i ngjashëm me makinën që largoi vrasësit. Prokuoria dyshon se ky është i njëjti automjet. Ndërsa shoferi i familjes këmbëngul se e kishte marrë automjetin për të pastruar. Beqaraj thotë merrni GPS-in dhe shihni se ku ka qarkulluar automjeti. Ndërsa policia thotë se ky automjet është parë nga kamerat e sigurisë teksa largohej nga ai perimetër ku ka ndodhur vrasja”– shtoi Hoxha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA