Dita Botërore e Ujit, marsh sensibilizimi në Durrës për riciklimin e plastikës

22/03/2024 15:46

Në Ditën Botërore të Ujit, nxënës të shkollave të Durrësit dhe studentë të universitetit “Aleksandër Moisiu” u mblodhën në një marshim për edukimin mjedisor qytetar dhe riciklimin e plastikës, një prej ndotësve më të mëdhenj të lumenjve dhe detit.

Dhjetëra nxënës e studentë marshuan me thasët e mbetjeve plastike të mbledhura në banesat dhe shkollat e tyre, nëpër rrugët e sheshet kryesore të qytetit. Ata ndaluan edhe në arenën e Amfiteatrit Antik, duke përcjellë së bashku me mësuesit e pedagogët e tyre mesazhe ndërgjegjësuese në mbrojtje të mjedisit, për një qytet të pastër dhe turizëm të qëndrueshëm.

“Duke e grumbulluar dhe thënë stop plastikës në det e oqean për të pasur një qytet më të pastër e më të bukur vendosëm ta bëjmë aktivitetin në ditën e ujit, sepse ne i përkasim qytetit që ka det. Janë 16 shkolla, 200 studentë që na përkrahën sot. Përpara se të lajmë duart duhet të lajmë zemrën. Thuaj unë do t’i bëj stop kësaj ndotjeje, këtij shkatërrimi që do t’i vijë në vite e breza detit. Është shumë e vështirë të tretet plastika”, u shpreh një mësuese, bashkorganizatore e marshimit.

“Në këtë marshim jemi për t’u ndërgjegjësuar ndaj plastikës pasi në ardhmen parashikohet që në det të kemi më shumë bidona se peshq dhe ne duhet t’i mbledhim ato për një jetë më mirë për ne dhe brezin që do të vijë më pas”, tha një nga nxënëset marshuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA