Seanca e sotme plenare vijoi me debate mes vetë demokratëve.
Kryedemokrati Lulzim Basha kërkoi të flitej për sistemin zgjedhor dhe Komisionin e Reformës Zgjedhore, të cilit sot i përfundon afati. Por komentit të tij se vendimet nuk mund t’i marrë 1/10 e deputetëve, iu kundërpërgjigj Toni Gogu, që e kritikoi për “matematikën e dobët”. Fjalën e mori edhe socialisti Petrit Vasili, duke u shpreh se me mbarimin e Zgjedhores, “mbyllet dhe një merkato dy vjeçare politike”.
Toni Gogu: Kam një kërkesë për procedurë, nga zysha ime e aritmetikës, dua të shënohet shqetësimi i saj. Basha tha që vendimet nuk mund t’i marrë 1/10. Kur je 10% thotë zysha e aritmetikës, nuk mund të flasësh në emër të 90%.
Lulzim Basha: Mirë se vini në produktin e humorit të Kooperativës. Pse keni frikë të shpreheni para qytetarëve. Që keni frikë nga listat e hapura është e qartë. Gënjeshtra ka helmuar çdo frut që del nga kjo sallë. Vendime e marra këtu po dëmtojnë qytetarët. Në kohën e mbetur të këtij parlamenti, dua të pyesin shqiptarët, cfarë është në interes të tyre.
Petrit Vasili: Sot ne jemi në një moment, ku së bashku me mbarimin e këtij Komisioni, mbyllet dhe një merkato dy vjeçare politike. Një komision që hyn në faqet e zeza të këtij parlamenti. Sa i takon, çështjes së 2008, duhet të kenë turp ata që kanë votuar, kur në këtë sallë është bërë një grevë urie. Janë bërë pazare në emër të rrahjes së gjoksit të bashkëkryesisë. Fund komisionit të turpi dhe procedurave antiparlamentare, nuk mund t’i jepni fjalën pa fund disa personave.
Lindita Nikolla: Zoti Basha ju tërheq vëmendjen për zaptim të Foltores, do t’ju përjashtoj nga salla
Basha vazhdoi të qëndronte në Foltore, duke penguar vijimin e rendit të ditës, ndaj kryeparlamentarja Lindita Nikolla e përjashtoi nga salla dhe seanca u ndërpre për disa minuta.
Top Channel