Protestë kundër importeve ukrainase, fermerët polakë bllokojnë pikat kufitare me Ukrainën

20/03/2024 16:50

Fermerët polakë kanë bllokuar pikat kufitare të Polonisë me Ukrainën duke nisur nga muaji i kaluar për të protestuar ndaj asaj që ata e cilësojnë si “konkurrencë të padrejtë” nga mallrat që hyjnë nga Ukraina fqinje e shkatërruar nga lufta.

Këtë javë ata zgjeruan protestat e tyre në kufirin perëndimor me Gjermaninë.

Në fillim të këtij muaji ata mbajtën një demonstratë në kryeqytetin Varshavë, ku morën pjesë mijëra njerëz, ku pati edhe përplasje me policinë që solli për pasojë arrestimin e 22 personave.

“Në gjithë vendin sot janë planifikuar më shumë se 580 protesta, me rreth 70,000 njerëz që vlerësohet të marrin pjesë,” tha policia polake në një deklaratë.

Fermerët po bllokojnë veçanërisht rrugët hyrëse për në Varshavë dhe qytete të tjera të mëdha duke përfshirë Wroclaw, Poznan dhe Bydgoszcz.

“Ne si fermerë nuk do të dorëzohemi për sa kohë që kërkesat tona nuk plotësohen plotësisht,” thanë organizatorët e protestës në një deklaratë përpara bllokadës mbarëkombëtare.

Sektori i bujqësisë së Ukrainës ka qenë i gjymtuar që nga pushtimi rus në vitin 2022. Shumë nga rrugët e saj kryesore të eksportit përmes Detit të Zi janë bllokuar dhe toka e saj bujqësore është bërë e papërdorshme nga lufta.

Në një përpjekje për të ndihmuar ekonomikisht Kievin, Bashkimi Evropian në vitin 2022 hoqi tarifat për mallrat ukrainase që kalojnë tranzit në bllokun 27-vendesh në rrugë.

Të mërkurën, vendet anëtare të BE-së dhe ligjvënësit arritën një marrëveshje për të kufizuar importet pa taksa të disa drithërave të Ukrainës. Bllokadat kufitare dhe mosmarrëveshja e grurit kanë tensionuar lidhjet midis fqinjëve, edhe pse Polonia ka treguar mbështetje të vendosur që nga pushtimi rus.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA