Gazetarja Dorjana Bezat u shpreh se vrasja e ish-policit të burgut Gentjan Bejtja nuk ishte surprizë për policinë, pasi i kishte shpëtuar 3 atentateve dhe nuk kishte folur kurrë për emrat të cilët e donin të vdekur.
Ajo tha se duke parë formën sesi ndodhi atentati i fundit në verë të 2023, u pa qartë se autorët nuk kursenin asgjë, pasi kujtojmë se nga të shtënat mbeti i vrarë kunati i Bejtjas dhe u plagosën dy fëmijët e tij të mitur.
“Kjo është një ngjarje që pritej, nuk ishte as surprizë për policinë. 8 muaj më parë me të njëjtën metodikë, mendohet se kanë qenë të njëjtën autorë, kanë shkuar te shtëpia dhe nuk kanë kursyer as fëmijët. Ka mbetur viktimë një i pafajshëm dhe janë plagosur dhe dy fëmijë të mitur. Pra tregoi se autorët ishin të pamëshirshëm.
Për 8 muaj policia shkoi dhe trokiti në derën e Bejtjas, dhe i kërkuan të nxirrte emrat se kush e donte të vdekur, por ai heshti, sikurse heshti edhe për 6 ngjarje kriminale që mund të kishte dijeni ose ka qenë i implikuar, siç ka heshtur edhe për 3 atentatet që i ndodhën, dhe krimi goditi prapë”, u shpreh Bezat.
Top Channel