Gjermania ndan 500 milionë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën

19/03/2024 22:07

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius njoftoi një paketë të re ndihme për Ukrainën me vlerë 500 milionë euro gjatë një takimi të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës.

Takimi erdhi në një kohë të pasigurt për Ukrainën dhe aleatët e saj, pasi Rusia ka rritur presionin ushtarak përgjatë frontit dhe nga ana tjetër, 60 miliardë dollarë ndihmë nga SHBA kanë mbetur të bllokuara për shkak të mosmarrëveshjeve mes republikanëve e demokratëve në Kongres.

Paketa e re e Gjermanisë përfshin 10,000 predha artilerie nga rezervat ushtarake, si dhe 100 automjete të blinduara për këmbësorinë dhe 100 automjete logjistike.

“Ne gjithashtu vazhdojmë të furnizojmë pjesë këmbimi për sistemet që tashmë janë dorëzuar dhe sasi të mëdha të furnizimeve mjekësore”- u shpreh ai.

Gjermania do të financojë gjithashtu blerjen e 180,000 predhave artilerie përmes nismës së udhëhequr nga Çekia për furnizimin me municion në Ukrainë, sipas ministrit. Dorëzimi do të bëhet gradualisht dhe do të fillojë këtë verë.

Fillimisht një partner hezitues, Berlini është bërë donatori i dytë më i madh ushtarak i Ukrainës pas SHBA-së. Sipas Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore, Gjermania ka ndihmuar Ukrainën me 17.7 miliardë euro (rreth 19 miliardë dollarë) ndihmë ushtarake.

Gjermania dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje afatgjatë dypalëshe në shkurt, sipas së cilës Berlini u zotua t’i sigurojë Kievit ndihmë ushtarake me vlerë 7 miliardë euro (7.6 miliardë dollarë) në 2024.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA