Nga Edison Ypi

S’ka më të pabesë dhe më të rrezikshëm, s’ka dërrasë më të kalbur se një grusht fanatikësh të pa përmbajtur si ata poshtë Ballkonit të Doktorit. Kurrë nuk ka ndodhur kurrë, dhe kurrë s’ka për të ndodhur, në asnjë vend, në asnjë kohë, dhe në asnjë rrethanë, që bashkëpunimi me një çetë proletarësh të revoltuar të ketë pasur ndonjë rezultat pozitiv, aq më pak të jetë arritur ndonjë qëllim.

Poshtë Ballkonit të Doktorit po ndodh qoka politiko-propagandistike më e shëmtuar, më e pavlerë, më e dëmshëm dhe më e pakuptimtë.
Nën atë Ballkon llumi i Kombit, gjysma çuna oficerash nga ata që na kanë burgos dhe na kanë vra, po dërdëllit përçartje propagandistike kundraproduktive që s’i peshon asnjë kandar, që s’i duhen as dreqit, që e dëmtojnë kauzën tonë, por më tepër Doktorin.

Mbyllja e detyruar e Doktorit, një nga njerëzit më të kultivuar të vendit, nuk është asgjë para dënimit më të tmerrshëm, të bashkëjetuarit pranë e pranë si pasqyrë dhe si vetrinë, i squti me budallain, i sofistikuari me injorantët e dehur nga era e gjakut të mishit të pushtetit.
Asnjë fakt i kësaj natyre nuk ka qënë më i pamend dhe më i pavend se kjo çetë mercenarësh me lugë në brez në pritje për të përmbysur, zbrazur, lëpirë, tasa dhe kazana.

Fjalori i varfër, klishetë narrative, tematikat e dala boje, papërgjegjësia e skajshme, janë tiparet e turpshme të kësaj çudie që po kompromenton dita ditës opozitën e tashme, dhe po fëlliq gjithë të tjerët.

Çfarë po bëjnë Doktori majë penxheresë dhe çeta që e ndjek poshtë në rrugicë, është bashkëveprimi më jo-produktiv prej sa mbahet ment. Për një mijë arësye tepër evidente. E kotë t’i numurosh.

Pse duhet të vazhdojë kjo komedi me proletarë komunista kinse demokrata të egërsuar, injorantë të revoltuar, analfabetë funksionues, kur tashmë është më se e qartë se predikimet e vazdueshme denoncuese të Doktorit nuk i kanë paksuar aspak hajdutlliqet dhe krimet – një Zot e di.
Ndoshta është e vërtetë se ca të tërbuar me përçartjet e tyre në pritje të kockës ndezin çetën. Halli se dekurajojnë gjithë të tjerët.
Ku ma gjen kafenenë e lagjes. Ku flitet në mënyrë të kulturuar, serioze, të përgjegjëshme, me zemër, me shpirt. S’ka të krahasuar me karagjozllëkun me militantë të rrejshëm, estradën gratis, ku mungon vetëm Skënder Sallaku.

Duhet të bëhet i gjallë dikush të ndreqë diçka. Për shembull, të vërë një rregull të flasë çdo natë vetëm 1 orator. Jo çdo palaço që bën si besnik, si qëndrestar. Dikush për së mbari, dikush me cipë, dikush që nuk e bën baltë, që di të lidhë fjalët, që thotë diçka, që është i aftë ta përcjelli një ide. Në mos, t’i thotë çetës qesharake të iki në shtëpi, dhe të mos duket më.

Dihet se në Shqipëri çka ndodh në rrugë është më dramatike se çka ndodh në skenë. Madje çfarë ndodh poshtë jastëkut, poshtë dyshekut, posht çadrës, poshtë urës, është pakrahasimisht më e rëndësishme dhe më interesante se çfarë ndodh poshtë Ballkonit.
Për të dhënë një shembull. Noli gjenial, duke qënë prift, nuk mund të mos ishte pak komunist. Një mbrëmje, posht ballkonit, një buçko i qeshur, me gabime analfabeti dhe pathos kooperativist, lexoi vargjet më komuniste të gjeniut Nol. Buçkoja as titullin nuk ja tha korrekt kryeveprës komuniste të priftit kolonjar. Vjershën që në diktaturë ua mësonin kalamajve të kopështit dhe quhet “Anës Lumenjve” proletari i poshtë ballkonit pa ju dridhur qerpiku e quajti “Anës Lumit”. Mir’ që s’e quajti “Anës Lanës”.

S’do ment se Doktori mezi pret të lirohet nga zgjedha e budallallëkut të posht ballkonit. Me siguri i dhem zemra nga çdo fjalë idiote që nxjerrin nga goja lumpenët e tërbuar. Po s’ka çfarë të bëjë. S’di nga t’ja mbajë.

Po unë, pse e shoh vallë çdo natë atë spektakël makabër ? Faleminderit për pyetjen dinake shoku spiun. Nuk e shoh se më pëlqen. E shoh sepse sepse zbatoj parimin e pavdekshëm Lagushian; Llaftari tmerrisht e bukur.

Hej Zot ç’na ka gjet; Pse ësht Doktor, dun patjetër me e rrethu me spital.

I quajn “kamikaze” llapaqenat që ta lejn pushkën në faqe dhe e kthejn pllakën brenda minutit. Zot sa ke mos na i rrëfe.

Nuk ma kishte marrë kurrë mendja se Doktori që di përmendësh “Letrën e Tatjanës Onieginit”, vargje, poezi, prozë, nga autorët më të shquar të botës, njohësi në majë të gishtave i letërsisë klasike dhe moderne, ai që me fjalën e zjarrtë, mendimin e ngjeshur, dhe shpirtin plot, ai që në tërë këto vite ka ngritur peshë malet, kuçin e maçin, të madh e të vogël, edhe ngordhalaqët, edhe budallenjtë, edhe gurët e rrugës, ky Doktor të detyrohet të qëndrojë kaq pranë një çete komuniste në delir. Dënim më të tmerrshëm dhe më të pameritur s’ka.

A ka faj Doktori. Po ka. Për një gjë. Që nuk del në Ballkon tu thotë mysafirëve të çartallosur të rrugicës:
Zotërinj klientelista, mercenarista, regjionalista, ju solla deri këtu. Më tej bëni si dini. Faleminderit për ndihmesën që i dhatë revolucionit. Që sot, që tani, që këtë çast, ikni, dhe kurrë mos u ktheni. Qafën thefshi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA