Lufta në Gaza/ Biden, bisedë telefonike me Netanyahun një muaj pas “përçarjes” mes tyre

18/03/2024 18:55
Benjamin Netanyahu, Joe Biden

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden zhvilloi një bisedë telefonike ditën e sotme me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, për herë të parë që prej një muaji pa kontakte me njëri-tjetrin.

Shtëpia e Bardhë në deklaratën e dhënë për mediat tha se liderët diskutuan për 2 pika kryesore ku ka pasur tensione në marrëdhënien mes tyre, duke përfshirë nevojën për të dërguar më shumë ndihma humanitare në Gaza dhe planin ushtarak të Izraelit për një sulm të madh në Rafah, ku janë strehuar më shumë se 1 milionë civilë palestinezë.

Telefonata e së hënës erdhi disa ditë pasi një nga aleatët kryesorë të Bidenit në Uashington, udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, bëri thirrje për zgjedhje të reja izraelite që do të rezultonin në rrëzimin e Netanyahut.

Biden e quajti fjalimin “të mirë” dhe tha se ai pasqyronte shqetësimet e shumë amerikanëve, megjithëse nuk e miratoi apo dënoi në mënyrë eksplicite thirrjen për zgjedhje të reja në Izrael.

Netanyahu të dielën kundërshtoi me forcë fjalimin e Schumer gjatë një interviste me Dana Bash të CNN.

“Është e papërshtatshme të shkosh në një vend demokratik dhe të përpiqesh të zëvendësosh lidershipin e zgjedhur atje. Kjo është diçka që Izraeli, publiku izraelit e bën vetë, dhe ne nuk jemi një republikë bananeje”, tha Netanyahu.

Marrëdhëniet Biden-Netanyahu janë zhvendosur gjatë disa muajve të fundit ndërsa zhgënjimi brenda Shtëpisë së Bardhë rritet për atë që zyrtarët amerikanë e konsiderojnë si refuzimin e këshillave të SHBA-së nga Netanyahu për luftën në Gaza.

Pasi flisnin çdo ditë ose çdo javë në fillim të konfliktit, Biden dhe Netanyahu tani flasin shumë më rrallë. Telefonata e tyre e fundit para të hënës ishte më 15 shkurt, periudha më e gjatë pa bisedë telefonike që nga sulmet terroriste të 7 tetorit që nisën luftën Izrael-Hamas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA