“Jo të lira dhe të manipuluara”, Stoltenberg: Zgjedhjet ruse konfirmojnë se shteti ka shoqëri autoritare

18/03/2024 23:11

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se zgjedhjet presidenciale në Rusi nuk ishin “as të lira, e as të drejta” dhe vetëm konfirmuan se Rusia “është një shoqëri autoritare”.

Në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë në Tbilisi, Stoltenberg tha se zgjedhjet që i dhanë presidentit Vladimir Putin mandatin e pestë “ishin të manipuluara, dhe pa dyshim, pa befasi”. Ai tha po ashtu se përpjekjet e Moskës për të mbajtur zgjedhje në territoret e pushtuara të Ukrainës ishin shkelje e ligjit ndërkombëtar.

Shefi i NATO-s tha se Putini bëri deklaratë të pasaktë kur gjatë fjalimit të fitores tha se trupat e NATO-s janë në Ukrainë. Aleatët e NATO-s kanë ofruar trajnime, por “nuk po planifikojnë asnjë prani ushtarake në terren”.

Stoltenberg përsëriti se NATO vazhdon të ketë politikën e derës së hapur për shtetet që duan të anëtarësohen dhe mohoi se aleanca po “zgjerohet në mënyrë agresive kah lindja”, që ishte një prej justifikimeve që Putini përdori për të nisur pushtimin e Ukrainës në vitin 2022.

Shteteve në Evropën Lindore u është thënë se nëse plotësojnë standardet e NATO-s dhe janë shoqëri demokratike, anëtarësimi në aleancë është i hapur për ta, tha ai.

“Ne respektojmë nëse ju nuk dëshironi të anëtarësoheni në NATO. Por, sigurisht ne respektojmë nëse ju dëshironi të anëtarësoheni në NATO”, tha Stoltenberg duke shtuar se këto shtete nuk mund të jetojnë “në një botë ku Moska vendos se çfarë mund dhe nuk mund të bëjnë fqinjët e saj”.

Shefi i NATO-s nuk deshi të flasë nëse Ukrainës do t’i hapet rrua për anëtarësim në NATO gjatë samitit të aleancës në Uashington në korrik, por ai tha se pret që NATO-ja të marrë “vendime që do t’i mundësojnë Ukrainës të jetë më afër NATO-s”, përfshirë hapa për t’u siguruar se ushtria e Ukrainës “është plotësisht në përputhje” me NATO-n.

I pyetur nëse aspiratat e Gjeorgjisë që t’i bashkohet NATO-s do të avancohen gjatë samitit, Stoltenberg tha se ai nuk mund të paragjykojë rezultatin e samitit.

Për herë të parë Stoltenbergu tha se Gjeorgjia dhe Ukraina “kanë përgjegjësi të ndara dhe të pavarura” kur vjen puna për aplikimet e tyre për NATO.

“Këto shtete janë në nivele të ndryshme dhe në rrugë të ndryshme”, tha ai, duke lënë të kuptohet se aplikimi i Ukrainës është më urgjent për shkak të luftës aktuale kundër forcave ruse.

“Nuk po them se Ukraina është më përpara se Gjeorgjia në të gjitha fushat. Ka vlerësime individuale, ka përpjekje individuale për të mbështetur Gjeorgjinë dhe për të mbështetur Ukrainën dhe do të jenë vendime të ndara individuale”, tha ai.

Stoltenberg, i cili u ka bërë thirrje anëtarëve të NATO-s që t’i ofrojnë Kievit municione dhe pajisjet e nevojshme ushtarake, po ashtu e pranoi se mbështetja ndërkombëtare për ushtrinë ukrainase nuk ka mbetur në nivelin e njëjtë të lartë siç ishte në fillim të luftës, duke vënë në pah se në Kongresin amerikan ende nuk është miratuar një paketë e madhe e ndihmës. Megjithatë, ai tha se ende shpreson që SHBA-ja do të pajtohet për këtë paketë sepse është edhe në interesin e sigurisë së Uashingtonit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA