“Fiks Fare”/ Fëmijës me autizëm i bie tabela në kokë, mësuesja nuk e ndihmon, kolegia: Ajo rreh fëmijët! Policia “fsheh” ngjarjen

18/03/2024 21:07

Emisioni “Fiks Fare” solli rastin e një 3-vjeçari me autizëm nga qyteti i Shkodrës, i cili është dëmtuar në kokë në kopsht, nuk është ndihmuar nga edukatorja dhe që policia nuk ka kryer asnjë veprim.

Gjyshja e 3-vjeçarit tregon për emisionin “Fiks Fare” se në datën 9 shkurt nipi i saj është dëmtuar në kopshtin “Dëshmorët e Prishtinës”, por ngjarja nuk është zbardhur.

“Fëmija ishte goditur në kokë, unë s’mund të them që fëmijën e kanë dhunuar, por edukatorja nuk është kujdesur, ne e çuam fëmijën në spital dhe ju bë skaneri, u thirr dhe policia, por më vonë nuk u bë më asgjë” thotë gjyshja e 3-vjeçarit.

Fiksi transmetoi momentin kur është goditur fëmija në kopsht nga një tabelë metalike dhe edukatorja s’ka bërë asgjë.

Ajo tregon se fëmija u ankua për kokën dhe ndaj  pyeti edukatoren, por ajo i tha të shihte kamerat dhe nuk u përgjigj për rastin.

Ndërkohë, gjyshja thotë se për fëmijën është kujdesur një mësuese ndihmëse, Anila Balasi, që atë ditë nuk ka qenë prezente në kopsht.

Në një takim me gazetarët kjo e fundit tregoi se edukatorja i godiste fëmijët dhe madje fëmijën me autizëm e diferenconte. “Ajo i  gjuante fëmijët me shpulla në kokë, po ashtu fëmijën me autizëm e diferenconte”, thotë Anila.

Gazetarët kërkuan të shohin tabelën metalike, por znj. Balasi tregoi se ajo është në drejtori dhe zyra është e mbyllur.

Ish-edukatorja, Radoina Marku , pretendon se e gjitha kjo situatë është stërholluar dhe ekzagjeruar nga  drejtoresha e kopshtit me të cilën ka patur inate të vjetra. “Fëmija nuk është goditur fare në kopsht, do ketë ardhur i goditur. Për këtë gjë nuk jam thirrur kurrë në polici” thotë Marku .

Pas incidentit të ndodhur në kopsht fëmija është dërguar në Spitalin Rajonal të Shkodrës ku është bërë edhe një skaner koke. Ndërkohë spitali ka lajmëruar edhe sallën operative të Komisariatit të Policisë Shkodër, dhe në spital kanë shkuar punonjësit e policisë.

Punonjës të cilët nuk kanë kryer asnjë veprim dhe nuk e kanë referuar askund ngjarjen. Në një telefonatë me gazetarët Vasil Nikolli, punonjësi i policisë që ka shkuar në Spitalin Rajonal Shkodër, pranon se nuk ka bërë asnjë veprim, por ka lajmëruar sallën operative dhe nga aty duhet të dërgohej dikush tjetër.

Fiksi solli me zë dhe figurë gjithë përpjekjen e gjyshes për të gjetur se kush ishte punonjësi i policisë që ka shkuar atë natë në spital dhe kështu mësoi se nuk është bërë asnjë veprim. Kështu Komisariati i Policisë Shkodër pas referimit të rastit nga gazetarët thotë se ka nisur hetim disiplinor për punonjësit e policisë që nuk referuan rastin.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA