I ashtuquajturi ligji i Ruandës rikthehet në Dhomën e Ulët të Parlamentit Britanik.
Nisma ligjore e propozuar nga kryeministri britanik Rishi Sunak e cila ka ngjallur debate të mëdha brenda dhe jashtë kufijve të Mbretërisë së Bashkuar, pritet të votohet të martën. Pavarësisht se Gjykata e Lartë britanike e ka shpallur të paligjshme këtë politikë, Sunak vazhdon të shpresojë se projektligji i ri do të përmbushë zotimin e tij për të frenuar prurjet e njerëzve që kalojnë Kanalin e La Manshit me varka të vogla.
Deri tani lordët kanë refuzuar miratimin e këtij ligji duke arritur ta shtyjnë vazhdimisht atë, ndërsa insistojnë veç të tjerash se shkel të drejtën ndërkombëtare. Por në fund ata do të dorëzohen, thotë lordi Alfred Dubs, teksa kujton se në fund të fundit konservatorët përbëjnë grupin më të madh në Dhomën e Lartë dhe shpirti luftarak i lordëve, shpesh të moshuar, tashmë ka rënë. Sunak e ka kthyer në prioritet të tijin “ndalimin e gomoneve”. Gati 30.000 refugjatë hynë vitin e kaluar përmes La Manshit në Angli. Ata dhe persona të tjerë që kanë hyrë ilegalisht në vend nga viti 2022 kërcënohen nga dëbimi në Ruanda.
Pavarësisht prejardhjes, dhe pa verifikim të kërkesës për azil ata do të dërgohen në vendin afrikanolindot dhe nga aty do të duhet të bëjnë kërkesën për azil në Britaninë e Madhe. Boris Johnson ishte kryeministri i parë që e nisi një fluturim të tillë, me një grup refugjatës që do të niseshin për në Kigali, me gjithë protestat e organizatave për të drejtat e njeriut. Gjykata Europiane e pengoi Johnson në minutën e fundit. Edhe Gjykata e Lartë Britanike e deklaroi joligjor këtë plan, me argumentin se Ruanda nuk është vend i tretë i sigurt.
Top Channel