Netanyahu: Aleatët tanë kanë kujtesë të dobët për sulmin e 7 tetorit

17/03/2024 14:27

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të dielën se aleatët e Izraelit kanë kujtesë të dobët në lidhje me sulmin e 7 tetorit që e kreu Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ai u zotua se forcat izraelite do ta vazhdojnë ofensivën ushtarake në Rripin e Gazës, me gjithë trysninë e madhe ndërkombëtare.

“Miqve tanë në bashkësinë ndërkombëtare u them: A është kujtesa juaj aq e dobët? Ju e harruat kaq shpejt 7 tetorin, masakrën më të rëndë kundër hebrenjve prej Holokaustit”, tha Netanyahu.

A jeni të gatshëm t’ia mohoni kaq shpejt Izraelit të drejtën për t’u mbrojtur kundër përbindëshave si Hamasi?” shtoi ai.

Netanyahu e përsëriti se Izraeli do të kryejë ofensivë edhe në Rafah. Presidenti amerikna Joe Biden i ka rritur kritikat ndaj Netanyahut. Ai tha kohë më parë se Netanyahu “më shumë po e lëndon sesa po e ndihmon Izraelin” me mënyrën se si ai po i qaset luftës kundër Hamasit.

Biden tha se mbështet të drejtën e Izraelit për t’iu kundërpërgjigjur Hamasit pas sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit, por tha se Netanyahu “duhet t’i kushtojë më shumë rëndësi jetës së të pafajshmëve që po humbet për shkak të veprimeve që po ndërmerren”.

Zyrtarët egjiptianë thanë të shtunën se bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi në luftën mes Izraelit dhe Hamasit, pritet të nisin të dielën, ose të hënën.

Hamasi kërkon armëpushim të përhershëm në Gazë, gjë që është kundërshtuar nga Qeveria e Netanyahut, e cila ngul këmbë se, së pari duhet ta përmbushë synimin për ta “çrrënjosur Hamasin”. Zyrtarët e grupeve humanitare kanë paralajmëruar se Gaza po shkon drejt urisë absolute.

Lufta vdekjeprurëse e Izraelit në enklavën palestineze nisi pasi pjesëtarët e Hamasit u futën vrullshëm në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke i vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 250 pengje.

Më shumë se 31.000 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës prej atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, nga ofensiva ajrore, detare dhe tokësore e Izraelit, e cila ka shkaktuar rrënim të madh në enklavë. /REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA