Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen e paralajmëroi në fund të shkurtit e tani, duket po bëhet realitet. Asetet e ngrira ruse do të përdoren për të financuar blerjen e armatimeve për Kievin.
Pohimin e bëri kancelari gjerman Olaf Scholz pas një takimi në Berlin me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrin polak, Donald Tusk.
“Përfitimet nga asetet e ngrira të Rusisë në Europë, do të përdoren për blerjen e armëve…Një sinjal i qartë shkon për Moskën – presidenti rus duhet të dijë se ne nuk do të heqim dorë nga mbështetja jonë për Ukrainën”, tha Olaf Scholz, kancelar i Gjermanisë.
Shefi i Elizesë i përforcoi komentet e kreut të ekzekutivit gjerman.
“Ne do të bëjmë gjithë çfarë është e nevojshme për të mos lejuar që Rusia ta fitojë këtë luftë. Ne do të vazhdojmë mbështetjen për Ukrainën dhe popullin e saj për sa kohë të jetë e nevojshme, ashtu sic kemi bërë që nga dita e parë e këtij konflikti”, tha Emmanuel Macron, presidenti i Francës.
Mbështetja europiane po Kievin po merr tani rol qendror pas presidenti amerikan, Joe Biden, po has në vështirësi të bindë Kongresin të aprovojë paketën 60 miliardë dollarëshe të ndihmës për vendin e përballur me pushtimin rus. Zyrtarët e Perëndimit po lëvizin drejt konfiskimit të aseteve të ngrira financiare të Rusisë, në vlerë rreth 300-350 miliardë dollarëve, të cilat të përdoren për Ukrainën.
Aktualisht, pothuajse shumica e gati 210 miliardë eurove të rezervave ruse të bllokuara në BE, kryesisht letra me vlerë dhe lloje të tjera garancish në të cilat kishte investuar Banka Qendrore e Rusisë, po mbahen në depozituesin Euroclear në Bruksel. Liderët e BE-së mund ta japin dritën jeshile për një vendim të tillë në fund të këtij muaji.
Top Channel