U deshën katër atentate për të vrarë Gentjan Bejtjan, një emër i njohur për policinë dhe botën e krimit.
Pasditen e kësaj të premteje, teksa 43-vjeçari ndodhej në oborrin e banesës së tij në fshatin Larushkë të Fushë-Krujës, duke punuar në serë, persona të maskuar e kanë qëlluar me breshëri.
Dyshohet se në këtë atentat kanë qenë 4 persona të maskuar, të cilët pasi kanë monitoruar lëvizjet e tij, kanë shkuar jashtë banesës dhe kanë lëshuar breshëri plumbash kallashnikovi.
Ata janë larguar nga vendngjarja vetëm pasi janë siguruar që Bejtja kishte ndërruar jetë. Nga informacionet paraprake, dyshohet se autorët janë larguar me një mjet tip fuoristradë të bardhë, të cilën më pas e kanë djegur në fshatin Hasanaj. Në mjetin e shkrumbuar janë gjetur edhe 4 kallashnikovët e përdorur për të eliminuar Bejtjan, i cili në momentin e ngjarjes ka qenë në banesë vetëm me të shoqen.
Vrasja e tij mendohet se është bërë për hakmarrje, pasi në 8 vitet e fundit, ky është atentati i 4-të që kryhet ndaj Gentan Bejtjas.
Ky i fundit, pas ‘sagës’ së atentateve, kryente lëvizje të kufizuara për t’u mbrojtur nga armiqtë.
Gjatë viteve 2006 dhe 2022, atij i janë bërë atentate me eksploziv në makinë, ndërsa në korrik të vitit të kaluar, në rrugën pranë banesës së tij, iu bë sërish atentat me armë makinës së tij, ku viktimë mbeti kunati i tij, Ramazan Sini. Në makinë ndodheshin edhe dy fëmijët e mitur të viktimës, të cilët mbetën të lënduar. Këtij atentati ai i shpëtoi pasi vetëm disa minuta para se autorët të qëllonin makinën e tij, kishte zbritur nga makina.
Dikur ish-polic burgjesh, Bejtja ishte një personazh me shumë dritëhije, me konflikte të hapura me personazhe të njohur të botës së krimit, që dikur i ka pasur miq, si vëllezërit Valter e Durim Bami si dhe Mariglen Haka.
Po ashtu ai ka qenë personi i fundit që ka takuar Enver Stafukën, i cili u zhduk në vitin 2015 pa asnjë gjurmë.
Bejtja është marrë po ashtu në pyetje lidhur me vrasjen Iliaz Çalit, i cili u ekzekutua në vitin 2022.
Një tjetër ngjarje ku dyshohet se Bejtja mund të ketë qenë bashkëpunëtor, është vrasja e 3-fishte në Fushë-Krujë në vitin 2022, por për asnjë prej tyre, autoritetet nuk kanë siguruara prova të mjaftueshme.
Nga mënyra e veprimit, policia paraprakisht dyshon se autorë mund të kenë qenë të njëjtët e atentatit të korrikut.
Sakaq, pas ngjarjes zona është ‘blinduar’ nga RENEA dhe policia, teksa vijojnë hetimet për zbardhjen e detajeve dhe identifikimin e arrestimin e autorëve.
Top Channel