Emisioni Fiks Fare solli rastin e një mësueseje anglishteje në Maqellarë të Dibrës, e cila mungonte në 90 përqind të orëve të mësimit duke lënë kështu 6 klasa të arsimit 9 vjeçar pa mësim.
Mësuesja e “Anglishtes” Rajmonda Isaku sipas qytetarit denoncues banonte në Tiranë dhe kjo e bënte edhe të mungonte në shkollë. Madje sipas tij drejtori e ka favorizuar duke e lënë ditën e premte pushim , por ajo sërish mungon nga e hëna në të enjte.
Fiksi solli biseda me nxënësit e klasave të pesta, të shtata dhe të nënta, klasa në të cilat mësuesja Isaku bën mësim. Nxënësit treguan se mësuesja mungon shpesh. Madje në një bisedë me bashkëpunëtorët e Fiksit vetë mësuesja pranoi se niveli i nxënësve në “Anglisht” është shumë i dobët.
Në bisedë më nxënësit e klasës së 9-të, ata thonë se mësuesja nuk vjen.
Gazetarët e Fiksit shkuan në shkollë dhe morën një përgjigje nga drejtori i shkollës, Bilbil Lazri, i cili në fillim mohoi se kishte dijeni për mungesat e mësueses, madje sipas tij mësuesja kur mungon justifikohet me raport që e dërgon direkt në ZVA.
Por në fund drejtori pranon se mësuesja që mungon më shumë në shkollë është mësuesja e anglishtes madje atë e ka favorizuar duke i lënë edhe ditën e premte pushim.
“E di që është mësuesja që mungon më shumë në shkollë, por është justifikuar me raporte mjekësore”, thotë Lazri
Ndërkohë jashtë intervistës ai pranon se e ka thirrur mësuesen në zyrë për këtë problematikë, madje ai tregon se mësuesja është justifikuar në shkollë më raport mjekësorë, ndërkohë që provonte të punonte si inspektore në Zyrën Arsimore Vendore Tiranë.
Top Channel