Seancat parlamentare me kaos që duket se së shpejti do të marrin fund pas dakordësimit paraprak në parim mes opozitës e maxhorancës për të ngritur 2 komisionet hetimore dhe një nënkomision për reformat, janë futur në listën e rekordeve të vendit tonë.
Instituti i Studimeve politike, në raportin e publikuar për vitin parlamentar 2023, 8 seancat e zhvilluara nga nisja e kausit deri në mbyllje të vitit parlamentar, kanë zgjatur vetëm 97 minuta. Nga ana tjetër po ashtu rekord është miratimi i një ligji apo një vendimi pa diskutime, në mesatarisht 2.4 minuta.
“Të dhënat statistikore të aktivitetit parlamentar dëshmojnë se gjatë periudhës 30 tetor dhe 21 dhjetor, në të cilën seancat plenare u bënë të shkurtuara për shkak të incidenteve të shumta fizike në parlament, − një vendim është marrë në vetëm 2.4 minuta, dhe se 8 seancat janë zhvilluar në vetëm 97 minuta. Statistikisht një seancë plenare ka kosto të lartë buxhetore (10−12 mijë euro) dhe zhvillimi i tyre në 4 ose 8 minuta e bën funksionin e deputetit profesionin më të paguar për minutë në Shqipëri.”, thuhet në raportin në fjalë.
Thënë ndryshe 8 seanca në total 97 minuta, minimumi kanë kushtuar 80 mijë euro, ose ndryshe 825 euro minuti. Ndërkohë që janë 140 deputetë pjesë e Kuvendit, llogaria del marramendëse me 5.9 euro në minut, duke e kthyer postin e deputetit në më të paguarin në vend, të paktën në periudhën e fundit të vitit 2023.
Top Channel