“Në verë vendoset rezultati i luftimeve në Ukrainë”, Borrell thirrje SHBA-ve: Mos vononi ndihmën për Kievin

14/03/2024 21:42

Rezultati i luftimeve në Ukrainë do të vendoset në pranverë ose në verë. Kështu u shpreh shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Pas takimeve që pati në Uashington, Borrell tha se mbështetja për Ukrainën nuk duhet të vonohet pasi këtë verë mund të vendoset rezultati i luftës me Rusinë.

Mes dyshimeve mbi vazhdimin e ndihmës ushtarake të SHBA-së për Kievin, Borrell u tha gazetarëve se mesazhi i tij për politikëbërësit e SHBA ishte se çdo gjë që është e nevojshme duhet të bëhet sa më shpejt.

“Duhet të shpejtojmë. Duhet të rrisim mbështetjen tonë, të bëjmë më shumë dhe më shpejt. Kjo është arsyeja pse ne po rrisim kapacitetet tona të mbrojtjes industriale. Dhe është gjithashtu e vërtetë për SHBA-në. Muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë. Shumë analistë presin një ofensivë të madhe ruse këtë verë dhe Ukraina nuk mund të presë deri në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme në SHBA,” u shpreh Borrell.

Presidenti Joe Biden, ka mbështetur ndihmën ushtarake për Ukrainën që nga nisja e agresionit ushtarak të Rusisë në vitin 2022, ndërsa kundërshtari i tij i mundshëm republikan në zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA, ish-presidenti Donald Trump, ka një qëndrim totalisht ndryshe.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, një aleat i Trump, ka refuzuar deri më tani të thërrasë një votim mbi një projektligj që do të siguronte 60 miliardë dollarë më shumë për Ukrainën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA