19-vjeçari në Francë u përplas për vdekje me makinën e policisë që po e ndiqte, banorët të revoltuar: Ngjarje të tilla po bëhen të shpeshta

14/03/2024 19:01

Autoritetet franceze kanë nisur hetimet pas aksidentit tragjik mbrëmjen e kaluar, kur një 19-vjeçar humbi jetën teksa lëvizte me skuter në periferi të Parisit, pasi u përplas me një makinë policie.

Në pamjet amatore nga dëshmitarët, duket viktima dhe oficerët e policisë në Aubervilliers. Një ndër pistat e hetimit është se i riu u përplas me forcë me një makinë të dytë policie, që i doli përballë në përpjekje për t’u arratisur nga efektivët. Forcën e goditjes e tregojnë dëmet që ka marrë makina dhe një furgon i parkuar aty pranë. Në skuter me të riun ndodhej edhe një person tjetër, që për fat i mbijetoi përplasjes dhe u shoqërua në polici, për t’u marrë në pyetje.

Ky aksident ngre edhe një herë çështjen e sigurisë rrugore dhe ndërveprimet mes qytetarëve dhe forcave të rendit. Sipas banorëve vendas, këto ngjarje po bëhen gjithnjë e më e zakonshme. Të tronditur nga aksidenti, ata thonë se janë në pritje të hetimeve dhe shpresojnë që të merren masa që tragjedi të tilla të mos përsëriten.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA