Gjykata e Lartë vendosi që çështja e “21 janarit” t’i kalojë prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, SPAK.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për këtë vendim, në një postim në X. Sipas kryeministrit, kjo është një mundësi për drejtësinë e re, e cila ka në dorë të bëjë histori duke vendosur drejtësi.
“Vendimi i Gjykatës së Lartë sot për kthimin në jetë të dosjes së përgjakur të 21 janarit, ka kthyer në jetë shpresën e varrosur në mendjen e shumë shqiptarëve, se ajo dosje e një krimi të egër shtetëror do të dilte më nga varri i drejtësisë së kalbur shqiptare!
Ky vendim i ka rihapur rrugën e mbyllur kaq shumë vite, syrit së drejtësisë mbi vendin dhe autorët e atij krimi, duke e kthyer vendimin e qartë të Gjykatës Europiane të të drejtave të Njeriut në një mundësi konkrete për drejtësinë e re, që të bëjë histori me vendosjen e një drejtësie të drejtë.
Sot jam më krenar se asnjëherë deri më tash për kontributin unik që Partia Socialiste dha në shembjen e Pallatit të Vjetër të Drejtësisë përmes Reformës në Drejtësi; për durimin në ballafaqimin e vështirë me mllefin legjitim të shumë të zhgënjyerve nga zvarritja e pafundme deri në varrosje e kësaj çështjeje; për moslëkundjen e bindjes se drejtësinë për 21 janarin mund, duhet e do ta bëjë vetëm drejtësia dhe askush tjetër, sado që ajo të vonojë”, shkruan Kryeministri.
Rama nuk la pa përmendur edhe kritikët e PS, të cilëve u dha një mesazh, ku thekson mirëkuptimin e tij, ndërsa kërkoi që të mos humbin besimin tek forca e përbashkët.
“Me frymëmarrjen e lehtësuar nga vendimi i sotëm dhe vetëdijen se rruga drejt shpagimit përfundimtar nga drejtësia e gjakut të pafajshëm të katër dëshmorëve të 21 janarit është ende e përpjetë, dua t’u them të gjithë atyre që në këto vite të gjata nuk i kanë kursyer fjalët e hidhura në drejtimin tim e të PS: Keni të gjithë mirëkuptimin tim, po kurrë mos e humbni besimin tek forca jonë e përbashkët dhe Shqipëria që po bëjmë me përpjekjen tonë të përbashkët“, thotë më tej Rama.
Kolegji penal i Gjykatës së Lartë pasi dëgjoi relatimet dhe mbajtur parasysh vendimin e Strasburgut 2023 vendosi ndryshimin e vendimit të gjykatës së Apelit, ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe urdhëroi SPAK që të regjistrojë hetimet për çështjen e “21 Janarit”.
Top Channel