4 autorët e dyshuar për vjedhjen e 14 kuajve në Qafë Muzinë, janë vënë në pranga.
Vjedhja ndodhi më datë 6 të këtij muaji. Bëhet fjalë për -R. Ç., 40 vjeç, banues në Lukovë, Sarandë; A. R., 22 vjeç, banues në fshatin Shën Vasil, Himarë; N. M., 39 vjeç dhe R. Th., 36 vjeç.
Dy të fundit, banues në fshatin Nivicë, janë të dy me precedent të mëparshëm kriminal për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata i kanë vjedhur në një biznes kuaj, të cilët më pas i kanë transportuar me një kamion, në drejtim të Sarandës.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, për identifikimin e autorëve të vjedhjeve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, pas kallëzimit të depozituar nga një shtetase, se i kishin vjedhur disa kuaj, në biznesin e saj, në Qafë Muzinë, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas policisë, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kuajt e vjedhur dhe kamioni, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Top Channel