Sherri në Fier/ Humb jetën në spital 19-vjeçari, policia jep detaje, i plagosur edhe i riu që ndërhyri për ta shpëtuar

11/03/2024 12:18

Një ngjarje e rëndë ndodhi këtë të hënë në qendër të Fierit, ku një 19-vjeçar mbeti i vrarë me thikë pas një sherri banal me një tjetër.

Grei Bihuci mbeti i vdekur, pasi u qëllua me thikë nga Florjan Muka në qendër të Fierit.

Policia ka arritur të ndalojë autorin 18-vjeçar pas ngjarjes, i cili është dërguar në komisariat për t’u marrë në pyetje.

Një 20-vjeçar që ndërhyri për ta shpëtuar ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në spitalin e Fierit jashtë rrezikut për jetën.

“Rreth orës 11:30, në bulevardin “Jakov Xoxa”, shtetasi F. M., 18 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin G. B., 19 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën në spital.

Në spitalin e Fierit është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi O. S., 20 vjeç, i cili në momentin që ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit është dëmtuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe shoqëruar në Polici shtetasin F. M, dhe po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit”, sipas njoftimit të policisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA