Besimtarët myslimanë në mbarë botën nisën agjërimin në muajin e shenjtë të Ramazanit.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu ka uruar të gjithë besimtarët, ndërsa theksoi se luten që të rikthehet paqja në çdo vend ku ka luftë dhe konflikt.
“Të dashur motra dhe vëllezër besimtarë! Falenderimet i takojnë Allahut, Zotit të botërave që na mundësoi të arrijmë muajin e Ramazanit.
Muaji i bekuar i Ramazanit është një mundësi dhe favor i jashtëzakonshëm që Zoti na ka dhuruar për të pastruar shpirtin dhe trupin.
Ramazani nuk është muaj diete por muaj adhurimi, përmes të cilit njeriu ka mundësinë e artë të arrijë kënaqësinë e Zotit, e përmes kësaj arritje të begatojë veten e tij me mirësi në këtë botë dhe atë të përtejmen. Në Kur’an dhe në hadithet e Profetit (a.s.) Ramazani përshkruhet si një prej mirësive më të mëdha. E lusim zotin që të na mundësojë që të dalim të falur në fund të këtij muaji, të na bëjë paqe e begati, që të arrihet sa më parë paqja mes palëve në Gaza, Ukrainë dhe në çdo vend ku ka konflikte dhe njerëzit që gjejnë qetësinë e merituar dhe të kalojnë një Ramazan të Begatë”, tha Spahiu.
Për 30 ditë, ata do të agjërojnë, një nga 5 kushtet e islamit. Dita e parë e Ramazanit është 11 marsi, ndërsa dita e fundit është më 9 prilli, e cila pasohet me festën e Fitër Bajramit më 10 prill.
Top Channel