Gjykata e Apelit ka lënë në burg Altin Çokun, i akuzuar për shkaktim të vetëvrasjes së Sibela Abedinit, e cila u hodh nga kati i katërt.

I dyshuari ka mohuar se është ai personi që ka publikuar fotografinë intime me 27 vjeçaren dhe për këtë shkak ai tha se arrestimi është i paligjshëm.

39 vjeçari deklaroi se është përdorues TikTok-u si të gjithë dhe fotografinë e ka publikuar një person me inicialet A.H nga Fushë-Miloti. Me herët në një video në Tik Tok, Çoku kishte sqaruar se ky person i kishte hapur telefonin dhe marrë prej aty foton intime me 27 vjeçaren, duke e shpërndarë më pas ne rrjetin social.

Prokuroria ka si prova telefonat e 39-vjeçarit, ku konfirmohet se ai është personi që ka bërë shpërndarjen e fotografisë, si dhe lutjet e viktimës qe ta hiqte fotografinë. Gjykata e Apelit e ka lënë në qeli personazhin e njohur të Tik Tok-ut.

Sibela Abedini i dha fund jetës duke u hedhur nga kati i katërt i një pallati në Kamëz. E reja ishte e martuar në Kosovë dhe ishte nënë e një vajzë 2 vjeçare. Për shkak të problemeve me bashkëshortin, ajo ishte kthyer të prindërit e saj në Kamëz.

Altin Çoku është personazh i njohur për drejtësinë pasi në 2014 akuzohej për gjobvënie ndaj një mjeku në Kurbin. Nën kërcënimet me telefon dhe letra, mjeku ishte detyruar që  në kohë të ndryshme ti jepte katër mijë euro.

Njoftimi i Gjykatës së Apelit

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Më datë 10.02.2024, rreth orës 22:30, shërbimet e policisë gjyqësore janë njoftuar se në rrugën “Teuta”, lagjia nr. 7, Bathore, ka rënë nga lartësia e një objekti 4 katësh shtetësia me iniciale S. A, e cila më pas është dërguar në Spital ku ka gjetur dhe vdekjen. Nga kqyrja e telefonit ka rezultuar që viktima me iniciale S.A, ka pasur komunikime në rrjete sociale me personin nën hetim shtetasin A. Ç, në lidhje më një fotografi të viktimës me personin nën hetim, e cila ishte publikuar në rrjetin social.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj personit nën hetim shtetasit me iniciale A. Ç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”,  të parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 421 Regj.Them, datë 15.02.2024, ka vendosur:

– Vlerësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë, ndaj personit nën hetim Ç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, të parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal.

– Caktimin ndaj personit nën hetim Ç, masën e sigurimit personal atë të “arrestit në burg”  të parashikuar nga neni 238 të K.Pr. Penale.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga personi nën hetim me iniciale A. Ç, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit caktimin e një mase sigurimi personal më të butë, për shkak dhe të gjëndjes shëndetësore.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 11.03.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare Znj. Irena Brahimi,  vendosi:

-Miratimin e vendimit nr. 421 Regj.Them, datë 15.02.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA