Fundjavën dedikuar Shkodrës, kryeministri Edi Rama veç organizimeve politike, e përqendroi edhe në hovin e zhvillimeve të qytetit verior, ku ka rrëmbyer jo vetëm votën e demokratëve, por tashmë me ç’duket edhe zemrën e tyre.
“Unë jam demokrat, por ky është njësh. Shiko si ka ndryshuar Shkodrën… demokrat jam vetë’- tha Rama.
Për Ramën ajo që nuk është bërë në 30 vite në Shkodrën demokratike, do realizohet gjatë mandatit të socialistit Benet Beci. Planet për investimet në Shkodër Rama i ka për modernizimin e tregut si dhe shndërrimin e konviktit ‘Prenkë Jakova” për nxënësit e shkollave profesionale me kushte europiane.
Jo vetëm kreu inspektimet me kryebashkiakun shkodran, por Rama e nisi ditën me një lajm të mirë për shkodranët, duke ndarë në rrjete sociale përparimin e punimeve të rrugës Shëngjin Velipojë që parashikon të jetë gati për sezonin e ardhshëm veror. Rama e cilëson këtë progres si nevojë për të cliruar potencialin e turizmit në veri të vendit dhe që nuk ka dyshime se rruga Shëngjin Velipojë do të kthehet së shpejti një nga rrugët turistike më spektakolare të Mesdheut, falë peizazheve mahnitëse.
Gjatë konferencës për shtyp nga Shkodra mbrëmjen e të shtunës kryeministri tregoi se segmenti i fundit që është në fazë projekti është pikërisht segmenti nga Shkodra që lidhet me gjithë segmentet e tjera që janë Milot-Balldren. Foli edhe për disa projekte të tjera transformuese për Shkodrën.
“Kemi marrë dritën jeshile për financimin e hekurudhës deri në Hanin e Hotit. Po bëjmë dhe studimin e variantit të rrugës që na lidh me Prishtinën duke kaluar nga Shkodra përmes Gjakovës, pastaj lart. Edhe rruga e Dukagjinit që ishte një legjendë e stërpremtuar dhe që nuk kishte më askush besim që do të bëhej, është në kantier dhe vazhdon të punohet”- u shpreh Rama.
Se si e shikon Edi Rama të ardhmen e Shkodrës ua tha shkodranëve në anglisht.
“Shkodra will be great again”. Se i keni qejf ju këto parullat e djathta”- tha kryeministri.
Top Channel