Pas takimi ku morën pjesë të gjithë kryebashkiakët e vendit, Rama tha nga Shkodra se ‘ka bashki me rezultate shumë të mira, por disa të tjera lënë për të dëshiruar.
Rama tha se në takim u diskutuan një sërë propozimesh dhe problematikash, ndërsa vuri theksin te turizmi, legalizimi, si dhe thjeshtësimi i lejes së ndërtimit në fshatra.
“Ka bashki me rezultate shumë të mira, ka bashki me rezultate që lënë shumë për të dëshiruar. Kemi diskutuar për domosdoshmërinë e një qasjeje të re të bashkive ndaj një pasurie të madhe që janë pyjet, në sensin që pasi kemi garantuar një nivel të arsyeshëm mbrojtjeje të pyjeve nga shkatërrimi dhe nga keqpërdorimi i kësaj pasurie, na duhet tani që këtë pasuri ta vëmë më shumë në dispozicion të rritjes ekonomike të vendit, duke filluar nga rritja ekonomike e bashkive. Për këtë kemi një plan që e kemi ndarë me kryetarët e bashkive për t’i mbështetur që të gjitha bashkitë që kanë pasuri pyjore të kenë në plane të mirëfillta mbarështimin e pyjeve. Sot janë 67% e bashkive që nuk kanë plane të tilla dhe kjo është një shifër alarmante.
Kemi diskutuar për çfarë sjell për bashkitë hyrja e Shqipërisë në këtë fazë të re të jetës së vet që janë bisedimet për anëtarësim dhe njëkohësisht instrumenti i ri i Bashkimit Europian, që është plani i rritjes, Plani i Ri i Rritjes që praktikisht e angazhon Shqipërinë me një sërë programesh europiane ku bashkitë kanë mundësi të reja për të aksesuar fonde në Bashkimin Europian. Për këtë kemi diskutuar dhe për strukturën përkatëse në mbështetje të tyre për të shkruar dhe për të aplikuar me projekte që do të mund të sjellin të ardhura shtesë për bashkitë.
Kemi diskutuar për lehtësimin e domosdoshëm të procedurave të lejeve të ndërtimit në fshat, në mënyrë që njerëzit që ndërtojnë shtëpitë e tyre apo riparojnë shtëpitë e tyre të mos kenë të njëjta procedura si banorët e qytetit apo të zonave që kanë rëndësi, nga pikëpamja e trashëgimisë kulturore apo nga pikëpamja e mbrojtjes së natyrës, që janë zona me kritere shumë të rrepta dhe patjetër edhe për një qasje të koordinuar me bashkitë për procesin e legalizimeve të mbetura.
Kemi një numër jo të vogël legalizimesh të mbetura që, për arsye jo dhe aq të pakuptueshme, janë si të thuash, në bllokun e fundit të këtij procesi, por duke angazhuar edhe bashkitë në këtë proces, besoj se do t’i japim një shtysë më të madhe procesit, pasi shikojmë që në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, përmirësimet e ndjeshme që bëhen në mënyrë të vazhdueshme me sistemin e shërbimit për hipotekën, nuk ecin paralelisht me përmirësimin që duhet të bëjmë në adresimin e legalizimeve sepse janë dy procese krejt të ndryshme, por edhe sepse mbase na duhet edhe ndihma e bashkive.
Këto janë pak a shumë temat kryesore. Kemi folur për një program të madh të digjitalizimit të shërbimeve ne bashki ku do të financojmë rreth 50 milionë euro në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe jemi fokusuar në mënyrë të posaçme tek sezoni turistik, shifrat e dy muajve të parë janë përtej çdo parashikimi përsëri dhe nëse trendi do të vazhdojë kështu, edhe sipas të gjitha gjasave do të vazhdojë kështu, atëherë numri i 10 milionë turistëve të vitit të shkuar do të rritet në mënyrë shumë të ndjeshme, çka për bashkitë dhe për vendin tonë do të thotë një rritje shumë e ndjeshme e volumit të mbetjeve që duhen pastruar dhe që duhen trajtuar për të marrë vetëm njërin nga aspektet por që është një nga aspektet që lidhet drejtpërdrejt me punën e bashkive dhe nga ana tjetër kemi diskutuar edhe për kalendarin e ri kulturor dhe artistik të këtij sezoni që do të jetë më i pasur dhe kemi dëgjuar në të njëjtën kohë gjatë gjithë ditës edhe në tryeza të veçanta, të gjitha opinionet dhe sugjerimet e kryetarëve të bashkive për çështje si këto që thashë apo edhe për çështje më specifike për zona të caktuara apo për bashki të caktuara.
Një tjetër pikë e rëndësishme ka qenë ringjallja e aseteve të vjetra; shkolla të vjetra, godina të braktisura, qendrash të kahershme shëndetësore, repartesh ushtarake të mbetura nëpër zona të caktuara që s’kanë më asnjë përdorim për t’i futur në ekonomi, për t’i futur në punë përmes projekteve të pushtetit vendor.
Nuk po zgjatem më tutje, po ua lë juve fjalën për të bërë pyetjet, por në tërësi ka qenë një mbledhje për detyrat e përbashkëta të shtëpisë, nëse mund ta quaj kështu edhe ka pasur shumë ndërveprim edhe shumë rezultat sipas nesh. ”-u shpreh Rama.
Lajmi në përditësim…
Top Channel