Media greke “Kathimerini”, dy ditë më parë, publikoi një shkrim ku deklaronte se Shqipëria nuk e kishte ftuar Greqinë në ceremoninë e hapjes së bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë.
Në këtë shkrim të datës 7 mars 2024, thuhej ndër të tjera se ky veprim tregon për marrëdhëniet e dy vendeve dhe ‘tronditjen’ e shkaktuar pas dënimit të Fredi Belerit.
Por pas këtij shkrimi, Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka reaguar duke hedhur poshtë këtë deklaratë dhe duke pohuar se ftesa nga pala shqiptare drejtuar asaj greke, është dërguar në datën 24 janar 2024.
Në shkresën zyrtare që Shqipëria i ka dërguar Greqisë, me firmën e ministrit Niko Peleshi, ftohet në ceremoni ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias.
Në një tjetër shkrim të botuar sot nga “Kathimerini”, thuhet se Dendias ka deklaruar se për shkak të angazhimeve, nuk do të mund të ishte pjesë e kësaj ceremonie.
Reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes:
“Shqipëria dhe Greqia gëzojnë një nivel shumë të mirë bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si aleatë të përkushtuar të NATO-s. Jemi mirënjohës ndaj Greqisë (dhe Italisë) që për vite me radhë kanë kryer Policimin Ajror për vendin tonë. Me të njëjtën qëllim, më 29 janar, Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë dërgoi një ftesë zyrtare homologut të tij grek për të bërë një vizitë zyrtare në Shqipëri, që përkonte në të njëjtën kohë me ceremoninë e inagurimit të Bazës Taktike Ajrore të Kuçovës. Më 14 shkurt, morëm përgjigjen se për shkak të angazhimeve të paracaktuara, Ministri i Mbrojtjes Dendias nuk do të mund të merrte pjesë në ceremoninë e 4 marsit. Në vend të tij, zyrtarë të lartë nga Ambasada e Greqisë në Tiranë morën pjesë në këtë ceremoni. Jemi të keqardhur për lajme të tilla që nuk pasqyrojnë të vërtetën dhe realitetin në lidhje me bashkëpunimin tonë me shtetin tonë fqinj, Greqinë dhe që nxisin keqkuptime mes dy vendeve tona mike”.
Dokumenti i datës 29 janar të këtij viti është një ftesë zyrtare nga ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ndaj homologut të tij grek Nikos Dendias.
“Në kuadër të nivelit të shkëlqyeshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe në veçanti të bashkëpunimit në fushën e sigurisë, më lejoni t’ju bëj një ftesë zyrtare për të vizituar Shqipërinë, që mund ta kombinojmë me inaugurimin e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë në 4 mars”- thuhet në ftesën e bërë ndaj ministrit grek të Mbrojtjes Nikos Dendias.
Top Channel