Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të premten se është në dorë të Hamasit të bjerë dakord për arritjen e një armëpushimi që do të lejonte futjen e një sasie më të madhe të ndihmave humanitare në Gazë dhe t’i hapte rrugë bisedimeve për një “zgjidhje të qëndrueshme” konfliktit.
Sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken tregoi se ku kanë ngecur tentativat për ti shtyrë të dyja palët të ulin armët e të pranojnë kushtet që do ta bënin të mundur pushimzjarrin e përkohshëm. Izraeli dhe Hamasi fajësojnë njëri-tjetrin për mospajtimin rreth një marrëveshjeje e cila do të kërkonte nga grupi militant të lirojë disa nga pengjet që ende i mban në këmbim të një armëpushimi 40 ditësh. Të burgosurit palestinezë në Izrael po ashtu do të liroheshin. Blinken tani, problemin e shikon tek grupi militant palestinez.
“Çështja është Hamasi. Çështja është a do të vendosë Hamasi që të ketë apo jo armëpushim për të mirën e të gjithëve. Ne po punojmë me intensitet dhe do të shohim se çfarë do të bëjnë ata”, tha Blinken.
Ushtria amerikane vazhdoi sakaq të hedhë ndihma nga ajri në Rripin e Gazës së përballur me një katastrofë humanitare, pas muajsh të tërë konflikti shkatërrimtar për enklaven. Kjo është hera e katërt që ushtria amerikane hedh ndihma nga ajri për palestinezët në Gazë brenda një jave. Lufta e Izraelit në Gazë kundër Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – i ka detyruar shumicën e popullsisë prej 2.3 milionë të këtij territori të zhvendosen brenda vendit dhe ka shkaktuar mungesë të madhe ushqimi, uji dhe barnash.
Presidenti amerikan Joe Biden – i cili njoftoi për hedhjen e parë të ndihmave nga ajri javën e kaluar – tha më herët se ushtria amerikane do ta ndërtojë një port në Rripin e Gazës, për të mundësuar furnizim më të madh më ndihma përmes detit.
Top Channel