Shërbim i detyrueshëm ushtarak edhe në Serbi, Vuçiç: Do të hyjë në fuqi në dhjetor 2026 ose mars 2027 Rusia ka shpallur në kërkim katër qytetarë nga Kosova, tre nga të cilët efektivë policie.
REL ka siguruar dokumente që dëshmojnë se Moska i konsideron tre zyrtarët policorë si të dyshuar për veprat “arrestim i paligjshëm” dhe “kidnapim”, të cilat në Rusi janë të dënueshme me deri në 12 vjet burgim. Kërkesa për arrestimin e tyre i është dërguar edhe Agjencisë Ndërkombëtare të Policisë, INTERPOL. Pretendimet e ngritura nga pala ruse janë se policët ishin të përfshirë në “arrestimin dhe keqtrajtimin” e Mikhail Krasnoshchenkovit në vitin 2019. Krasnoshchenkov, me shtetësi ruse, ishte i punësuar atëkohë në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK.
Ai ishte drejtues i ekipit në Zyrën e UNMIK-ut në Zubin Potok – komunë kjo e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës. Sipas raportimeve të mediave kosovare në ditët e para të muajit mars, në mesin e personave të kërkuar nga Rusia janë edhe dy policë të njësive elitë të Policisë së Kosovës. Në listën e shtetit rus, ashtu si edhe në dokumentet e INTERPOL-it, ata përshkruhen si shtetas të Serbisë, meqë Rusia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.
Krasnoshchenkov është urdhëruar përmes telefonit nga eprori i tij – më 28 maj, 2019, rreth orës 08:30 – që të shkonte në pjesën jugore të Mitrovicës për të monitoruar situatën e krijuar pas informacioneve se “kishin ardhur njerëz të armatosur” dhe pas humbjes së kontakteve me një punonjës tjetër të UNMIK-ut. Por gjatë rrugës, makina e tij është sulmuar nga njerëz që përfshinin dhe njërin prej policëve kosovarë të kërkuar tani; ata e kanë nxjerrë rusin nga makina, e kanë rrahur egërsisht, e kanë lidhur dhe e kanë çuar në një ndërtesë në Mitrovicë, ku e kanë mbajtur kundër vullnetit të tij deri në orën 14:00, kur UNMIK-u ka protestuar kundër rrëmbimit të zyrtarit të tij”, thuhet në raportin e INTERPOL-it.
Top Channel