Qarku i Gjirokastrës prej më shumë se një dekade po regjistron ritmin më të ulët të shtimit të popullsisë në vend me një numër minimal lindjesh të reja.
Ka bashki si ajo e Dropullit që kanë gjithsej 3 lindje përgjatë gjithë vitit 2023 për shkak të faktit se 80% e popullsisë gjendet në emigracion.
Migena Kuro mjeke gjinekologe tregon se përgjatë vitit të fundit vihet re një shtim i lindjeve me 17% shifër që lidhen kryesisht me popullsinë e zonave rurale të Tepelenës, Përmetit dhe zgjerimin e hartës së shërbimeve të maternitetit edhe për Sarandën, Delvinën e bashki të tjera të qarkut të Vlorës.
“Vit 2023 ka qenë një vit më i mirë sa i përket lindjeve. Kemi një rritje me 17%. Kemi pritur lindje nga qarku i Gjirokastrës por edhe i Sarandës. Zonat rurale të Tepelenës e Përmetit kanë më shumë lindje dhe më pak zonat rurale të Gjirokastrës“- shprehet gjinekologia Migena Kuro.
Shumë çifte të reja rezidente në rajon preferojnë ti lindin fëmijët e tyre në maternitetet e Janinës apo Korfuzit. Të tjerë preferojnë të zhvendosen për të jetuar jashtë sapo kanë krijuar familje. Situata ekonomike dhe siguria sociale është duke e ndikuar vendimmarrje për të sjellë në jetë fëmijë. Loreta Mamani sociologe pranë universitetit të Gjirokastrës e lidh frenimin e lindjeve me papunësinë, mungesën e shërbimeve për familjet me fëmijë të mitur dhe me një lloj traume kolektive që nxit largimin.
“Situata ekonomike ndikon shumë në lindjen e fëmijëve.Çiftet e reja duke qenë të papunë e duke parë situatën e tyre ekonomike në familje lindin një ose dy fëmijë. Largimet më të shumta të popullsisë i ndjejmë në zonat rurale. Çiftet e reja kërkojnë me çdo kusht që fëmijët ti lindin në një shtet tjetër për t’ju dhënë dokumenta evropiane. Në familjet që kanë shumë fëmijë duhet të ketë politika më të mira punësimi për prindërit por edhe shërbime cilësore për fëmijët”- u shpeh Loreta Mamani, sociologe.
Në maternitetin e Gjirokastrës paraqiten pacientë nga të paktën 10 rrethe të Jugut nga 3 qarqe të ndryshme. Përgjatë vitit 2023 në maternitetin e Gjirokastrës erdhën në jetë rreth 350 foshnje nga rreth 500 që ishin në viti 2013. Por regjistrimi i të sapoardhurve në jetë rezulton të jetë më i lartë për shkak se gati 500 foshnje nga rajoni lindin çdo vit në maternitetin e Janinës.
Top Channel