Brenda muajit shkurt, Policia e Shtetit ka finalizuar 120 operacione në të gjithë vendin.
Janë parandaluar shtatë krime kundër personit dhe kanë rënë në pranga 40 shtetas të cilët akuzohen për dhunë në familjen e tyre. Gjithashtu janë zbardhur tre ngjarje kriminale të cilat u raportuan në fillim si aksidentale dhe 50 vjedhje të kryera më parë, ku tre prej tyre u kryen përmes kërcënimit me armë.
20 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë vënë në pranga dhe 467 të tjerë janë arrestuar, ndaluar apo proceduar penalisht, në kuadër të 2 megaoperacioneve kombëtare “Tempulli 2” dhe “Sundimi i ligjit”, 30 prej të cilëve kanë qenë të shpallur në kërkim.
Në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, janë sekuestruar 46 armë zjarri, 8 armë gjahu, 3 mina me telekomandë, 1462 kg lëndë plasëse, 227 kapsolla elektrike dhe detonatore, 5 kallëpe tritoli, shuma parash dhe sende të kundërligjshme.
Ndërsa në kuadër të operacionit “Tempulli 2”, janë sekuestuar 11 kg heroinë, 1.5 kg kokainë dhe qindra doza të kësaj lënde, 27.3 kg kanabis, qindra doza dhe fara të kësaj lënde, sasi kanabisi në trajtë çokollate, 10 peshore për ndarjen e lëndës narkotike në doza dhe shuma të konsiderueshme parash të përfituara nga veprimtaritë kriminale në këtë fushë.
Brenda shkurtit u finalizuan 12 operacione për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve ekonomiko-financiare.
Pasuri të ndryshme me vlerë rreth 100 000 euro, me burim nga veprimtatitë kriminale, u sekuestruan në kuadër të operacioneve “Real Estate 1” dhe “Real Estate 2”, të zhvilluara nga Policia e Elbasanit.
Përsa i përket veprimtarisë së paligjshme në fushën e lojërave të fatit, janë zbuluar 20 lokale/ambiente të tjera të përshtatura për këtë veprimtari. 10 kompjuterë dhe 40 celularë që përdoreshin për këtë veprimtari u sekuestruan si provë materiale, bashkë me shuma të konsiderueshme parash të përfituara prej saj.
Gjithashtu gjatë këtij muaji, janë identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, 33 shtetas që kanë keqpërdorur të dhënat e shtetasve të tjerë, për hapjen e llogarive false në rrjetet sociale, me qëllimi përfitimi apo denigrimi.
Përsa i përket shkeljeve të rregullave të qarkullimit, Policia Rrugore ka vënë në pranga 176 drejtues mjetesh, nga të cilët 111 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 65 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.
Janë pezulluar 328 leje drejtimi, nga të cilat 215 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 52 për drejtim mjeti, nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 61 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative.
Përsa i përket parandalimit dhe goditjeve krimeve ndërkufitare gjatë muajit shkurt, janë evidentuar dhe goditur:
-25 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit;
13 raste të përdorimit të dokumenteve false për të kaluar kufirin;
-4 raste të trafikimit të mjeteve motorike;
-3 raste të kontrabandimit të mallrave;
-7 raste të mosdeklarimit të shumave monetare;
-3 raste të braktisjes së të miturve.
Top Channel