Nga sot, avionët F16 dhe F35, do të jenë pjesë e aeroportit ushtarak të Kuçovës, jo vetëm për të përmbushur detyrat e NATO-s, por edhe për të ruajtur hapësirën ajrore të vendit tonë.
Zhurmën e munguar prej tre dekadash të avionëve MIG e rikthyen në Kuçovë avionët e NATO-s.
E hëna e 4 marsit e vendos Shqipërinë, jo thjesht si një vend anëtarë të NATO-s, por edhe në pasjen e një baze ajrore ushtarake.
Baza ajrore e Kuçovës do t’i shërbejë NATO-s për operacione nga më të ndryshme në rast nevoje në të gjithë rajonin, përfshi trajnime për pilotët tanë. Presidenti Bajram Begaj rëndësinë e inuagurimit të bazës së Kuçovës, e lidhi me kontekstin e sigurisë rajonale.
“Shqipëria dhe Kuçova nuk u zgjodhën rastësisht. Kjo dëshmon vlerësimin dhe besimin që aleatët kanë te Shqipëria, si një partnere e denjë dhe e përkushtuar. NATO nëpërmjet këtij investimi, tregon se Shqipëria ka një rëndësi strategjike për aleancën. Është një investim për të forcuar kapacitetet, planet, burimet dhe infrastrukturën e aleancës”.
Për kryeministrin Edi Rama, këta avionë të NATO-s në Kuçovë tejkalojnë rëndësinë e kësaj baze në tokën shqiptare.
“Do doja të falënderoj miqtë dhe aleatët tanë të paçmueshëm turq të cilët për thuajse tre dekada e mbajtën gjallë frymën e kësaj baze, e cila sot është tërësisht e transformuar dhe e gatshme si një bazë e re taktike e NATO-s me një rëndësi që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë. Një bazë e cila është një tjetër element sigurie për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, i cili e dimë mirë se është një rajon jo i pa rrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperialiste të Federatës Ruse”.
Ministri Mbrojtjes, Niko Peleshi e shikon këtë investim në Kuçovë në shërbim të mbrojtjes kolektive, misioni parësor i NATO-s.
“Nder dhe privilegj. Ambicie te kemi një flotë dinjitoze ajrore. Numri i dronëve do të rritet shumë shpejt. Baza aset për të gjithë rajonin”.
Komandant Leitnanti i NATO-s, Gjeneral Juan Pablo Sanchez DE LARA deklaroi se kjo bazë një është demonstrim i bashkimit të aleancës tonë.
“Duke punuar së bashku në kuadër të sistemit ajror të përbashkët të mbrojtjes antiraketë, ne garantojmë siguri për njerëzit tanë, garantojmë ecuri, gjithashtu edhe duke ndërtuar solidaritet dhe besim të ndërsjellë që janë dy instrumente kryesore në NATO. Shqipëria është gati të marrë përsipër detyra të reja në kuadër të NATO-s”.
I Ngarkuari me Punë i Ambasadës Ameriakne, David Wisner në fjalën përshëndetëse tha”
“Ky është një tjetër gur kilometrik në përkushtimin e vazhdueshëm të Shqipërisë ndaj parimeve të NATO-s, mbrojtjes së paqes, lirisë dhe demokracisë dhe kundërshtimit të kërcënimeve përmes parandalimit të mbrojtjes. Sot, pavarësisht sfidave të mëdha, NATO është më e fortë, më e madhe, me burime më të mira dhe në të vërtetë që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, NATO është rritur, si simbol i gjithë angazhimit tonë dhe veçanërisht si simbol i solidaritetit të Shqipërisë me anëtarët e NATO-s”.
Pjesë e bazës së NATO-s në Kuçovë do të jenë edhe dronët Bayraktar me fuqi shkatërruese të blindave ushtarak në lëvizje.
Rihapja e bazës ajrore të Kuçovës nën flamurin shqiptar dhe të NATO-s, pas një investimi prej 50 milion euro, ia lë vendin ambicies të Shqipërisë në pasje edhe të një baze detare të aleancës më të fortë ushtarake të botës, në portin e Porto Romanos në Durrës.
Top Channel