U deklarua i vdekur në Amerikën Latine në vitin 2013, arrestohet shqiptari në SHBA. Ekstradohet në Shqipëri/ EMRI

03/03/2024 15:29

Një 54-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është deportuar në Shqipëri. 

Leonard Mnella alias Leon Kolmnela alias Leonard Kolmnela, në vitin 2013 arriti që nëpërmjet një vendimi gjyqësor të lëshuar nga një Gjykatë shqiptare, të deklarohej i vdekur në Amerikën Latine.

54-vjeçari, është i dënuar nga autoritetet gjyqësore italiane, me 25 vjet burgim, konkretisht nga Gjykata e Salernos, për për bashkëpunim në organizatë kriminale, rrëmbim personi, tentativë zhavatjeje, shkelje të ligjit për armët dhe trafik droge në sasi të mëdha.

“Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë DSS/OCIU (Shërbimi Diplomatik i Sigurisë/Njësia e Hetimeve Kriminale) pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe me agjencinë tjetër federale amerikane DHS/ICE-ERO (Departamenti Sigurisë Kombëtare/Agjencia ligjzbatuese e Emigracionit dhe Doganave), prej disa kohesh kanë punuar së bashku për lokalizmin dhe arrestimin e shtetasit shqiptar në kërkim ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Leonard Mnella do të jetë subjekt hetimesh në Shqipëri, për ngjarje kriminale të ndodhura kohë më parë në Shqipëri. Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me dy agjencitë amerikane, nëpërmjet informacioneve të shkëmbyera, kanë arritur të identifikojnë, të lokalizojnë dhe të arrestojnë shtetasin shqiptar Leonard Mnela, në Miçigan, Shtetet e Bashkuara, dhe kane bërë të mundur deportimin e tij në Shqipëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA