Pas përfundimit të dy samiteve në Tiranë, të zhvilluar më 28 dhe 29 shkurt, kryeministri Edi Rama udhëtoi drejt Azerbajxhanit, si i ftuar nderi i presidentit Ilham Alijev, për të adresuar Samitin e 10-të të Korridorit Jugor të Gazit.
Në fjalën e mbajtur kreu i qeverisë vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve ndërsa theksoi, se qeveria po synon që të ndërtojë një qendër të gazit të lëngshëm në Vlorë.
“Aktualisht në Shqipëri po kërkojmë të ecim përpara drejt projektit të gazifikimit të vendit dhe falë mbështetjes së presidentit Aliev këtë proces gazifikimi duke shkuar kundër asaj që në traditën tonë historike që na ishte privuar. Duke u mbështetur në përvojën e suksesshme të bashkëpunimit me TAP në bashkëveprim me partnerët tanë synojmë të ndërtojmë një qendër të gazit natyror të lëngshëm në Vlorë, një qytet kyç bregdetar në jug të Shqipërisë”, u shpreh Rama.
Rama tha se korridori jugor i gazit e ka bërë më të fortë Bashkimin Europian, pasi ka kufizuar Rusinë.
“Sot jemi të gjithë dëshmitarë se Korridori i jugor i gazit ka ndryshuar tashmë shumë jetë dhe e ka bërë Europën më të sigurt. Me përqindjen e gazit rus në BE që po bie nga 40 % aktualisht në 8 % dhe së shpejti në 0 % dhe në agjendën e gjelbër dhe në përpjekjet për shkarbonizim në pikën më të lartë, gazi i Azerbajxhanit dhe rajoni Kaspik janë thelbësor për të ardhmen tonë të përbashkët. Për aq sa i takon vendit tim Shqipërisë, ne jemi të pozicionuar strategjikisht në rrugën e gazsjellësit TransAdriatik, që është një lidhje jetike në Korridor Jugor të gazit. Sigurisht, ne synojmë të kapitalizojmë më tej mbi këtë korridor transformues”, u shpreh ai.
Në këtë vizitë kreu i qeverisë u shoqërua nga zv/kryeministrja Belinda Balluku, ndërsa pritet të diskutojë dhe për ecurinë e projekteve të përbashkëta në fushën e energjisë, ku tanimë është gati studimi i gazifikimit të zonës së Korçës, si hap i parë i programit të shtrirjes së gazit për konsum të përgjithshëm në Shqipëri, ashtu si edhe është drejt përfundimit studimi i tubit lidhës të TAP-it me TEC-in e Vlorës.
Top Channel