Samiti Rajonal mbi Planin e “Rritjes dhe konvergjencës për Ballkanin Perëndimor” i mbajtur dje në Tiranë, mblodhi liderë nga ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, po ashtu edhe organizata të tjera dhe aktorë kyç në proceset për anëtarësimin në BE, me qëllimin për të hedhur hapa konkretë, individualë dhe të përbashkët, drejt plotësimit të dy prej shtyllave kryesore të Planit të ri për Rritjen e Ballkanit Perëdimor.
“Plani i ri për Rritjen e Ballkanit Perëndimor siguron një lidhje mes punës së CEFTA-s, në kornizën për një Treg të Përbashkët Rajonal, dhe aksesin në Tregun e BE-së. Shembulli më i prekshëm i kësaj lidhjeje është zgjerimi i Linjave të Gjelbra në kalimet kufitare me tregjet fqinje të BE-së dhe marrëveshjet e tjera doganore, të cilat do t’i bëjnë edhe më efiçente këto kalime”, nënvizoi Danijela Gacevic, drejtoresha në detyrë e CEFTA-s.
Mbledhja e Tiranës erdhi në vijim të takimit “Ballkani Perëndimor takohet me BE”, që u mbajt në Shkup, po ashtu edhe pas Samitit për Investimet në Ballkanin Perëndimor të organizuar nga EBRD në Londër, dhe përçon mesazhin se rajoni ka rritur nivelin e pjekurisë dhe qëndrueshmërisë.
“Zbatimi i Planit aktual të Aksionit për një treg të Përbashkët Rajonal dhe zhvillimi i një tregu të ri janë thelbësorë për krijimin e mundësive të reja, tërheqjen e investimeve, dhe forcimin e bashkëpunimit në CEFTA dhe me BE-në”, tha Gacevic.
CEFTA po punon për më shumë se 20 nisma, të cilat priten të sjellin të mira konkrete për bizneset dhe qytetarët në rajon. Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian do të zgjedhin bashkarisht se cilat prej tyre do të zgjerohen në marrëdhënien tonë me BE-në. Lidhur me Linjat e Gjelbra, puna e CEFTA-s do të jetë thelbësore në të ashtuquajturat marrëveshje ACAA, të cilat mundësojnë lëvizje pa viza për të mirat industriale, lehtësimin e pajisjeve elektronike, uljen e pengesave gjeografike, etj.
Plani i Ri i Rritjes i Komisionit Europian, i përshtatur së fundmi për Ballkanin Perëndimor, e njeh CEFTA-n si mekanizmin qendror të qeverisjes për menaxhimin e Tregut të Përbashkët Rajonal. Nga katër shtyllat e Planit të Rritjes, CEFTA do të fokusohet në dy prej tyre, të cilat kanë lidhje me forcimin e integrimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor dhe BE. Këto qëllime strategjike bëjnë që CEFTA të luajë një rol të rëndësishëm në lidhjen e rajonit me Tregun Unik të BE-së, duke theksuar lëvizjen e lirë të të mirave, shërbimeve dhe forcës punëtore, akses në Zonën Unike të Pagesave Euro (SEPA) dhe Tregun Unik Digjital.
Top Channel